gototopgototop
Aktual:
Friday, 01 July 2011 09:12   
Dëshmitë e Rekës shqiptare sipas regjistrimeve nëpër shekuj
Letërsi

Nebi DervishiNebi DERVISHI

Në këtë punim studimor autori flet për karakterin historik dhe etnolinguistik të një krahine të veçantë të Rekës së Epërme, që shtrihet në trevat Lindore shqiptare, në mes dy qyteteve Dibër dhe Gostivarit, të cilën studiuesit serbë, bullgarë dhe kohëve të fundit sllavomaqedonët të proveniencës pansllaviste pretendojnë ta paraqesin si zonë me tipare të popullsisë sllave të shqiptarizuar, porse faktet dëshmojnë të kundërtën, sepse fjala është për një krahinë me tipare shqiptare që kanë shkuar drejt asimilimit përfundimtar sllavomaqedonas.
Reka e Epërme e Gostivarit (maq. Gorna Reka) paraqet një krahinës me tipare të veçanta etnolinguistike dhe etnografike të trevave lindore shqiptare (Maqedonisë veri –perëndim). Gjeografia e ka vendosur atë në një rajon të malësisë të Gostivarit, në masivit e Korabit, pranë tre kufirit, Kosovë, Shqipëri  e Maqedoni, të përshkruar me shumë rrjedha ujore që derdhen te Radika (emri i lashtë Ardica) prej nga e ka marrë kjo zonë dhe emrin Reka (sll. Reka „lumë“), kurse historia ka vendosur aty bashkësi të shumta etnike shqiptare, arumune (vlehe), sllave, turke, rome, etj., që i japin këtij visi një kolorit të veçantë dhe me shumë interes gjuhësor, për etnolinguistikën dhe sociolinguistikën.
Me studimin e problematikave të fushave përkatëse të Rekës së Epërme janë marrë shumë autor, si: A. M. Selishçev, Dushan Nedelkoviq, Jovan Cvijiq, B. Vidovski, Ariton Popovski, Galaba Palikrusha, Toma Smiljeviç, Mirjana Mirçevska, etj. Ndërkaq nga autor shqiptar e kanë trajtuar: Dr. Qemal Murati, Sefedin Aruni, Zena Halimi, Edibe Osmani, Enis Jakupi, Ismet Krosi, Abaz Islami, Dr. Nexhat Abazi, Zjenulla Qyra, Dr. Lutfi Turkeshi, Xhevdet Ademi dhe ndonjë tjetër.
Murgjë vendor shqiptarë, të konfesionit ortodoks nga Reka e KeqeNdër shekuj shqiptarët ortodoks ishin të pranishëm, në krahasim me shqiptarët e konfesioneve të tjera, afërsisht një lloj në tërë Shqipërinë e Mesme. Sa ishin të pranishëm në Tiranë, Pogradec, Korçë. Librazhdë, Elbasan e Durrës, aq ishin , ndoshta edhe më shumë në Ohër, Manastir, Krushevë, Tetovë, Prespë, Dibër, Strugë e Gostivar, etj.  Por, pas Luftrave ballkanike dhe krijimit të shtetit shqiptar, në trevat lindore shqiptare situata ndryshoi rrënjësisht. Kështu ndërsa brënda shtetit shqiptar struktura fetare nuk pësoi ndryshime, në Mbretërinë S.K.S. (Jugosllave) pas Luftës së Parë Botërore dhe në Banovinën e Vardarit e më pas e emëruar R. E Maqedonisë (FYROM – IRJM-së) numri i shqiptarëve ortodoksë u zvoglua në mënyrë të skajshme.  Meqë i takonin fesë serbo-malazeze-bullgare-sllavo-maqedonase, ndaj tyre, si edhe ndaj shqiptarëve ortodoksë në Greqi, filloi asimilimi në forma të ndryshme; pjesa më e madhe  u asimilua në tërësi në sllavo-maqedonas. Ngelën të paprekur, në këtë pikëpamje, vetëm ortodoksët e fshatrave malore e që ndodheshin larg komunikacionit, si ata të krahinës së Rekës së Epërme të Dibrës, të fshatrave Duf e Jellovicë të Gostivarit, të fshatit Lubanisht afër Shën Naumit në Ohëri,  e ndonjë tjetër si edhe një pjesë e vogël e ortodokësve shqiptarë në qytete. Këta, si edhe vëllezërit e tyre muslimane e katolike, ruajtën të pastër gjuhën shqipe, traditat, doket e zakonet veshjet, këngët, etj, duke pasur edhe më tutje të përbashkëta me maqedonasit vetëm fenë ortodokse. Por, megjithatë, edhe këta edhe pse ndjehen a e dinë veten që janë shqiptarë, për arsye të ndryshme,  pranojnë para pushtetit se janë sllavo-maqeonas.
Njëqind vjetët e fundit, nga Luftrat Ballkanike propagandat e huaja bullgare, serbe, greke e sllavomaqedone e ka bërë të vetën. Duke qenë dikur një popullsi në numër relativisht mjaft e madhe dhe e pranishme si në qytete, ashtu edhe në fshatra të Maqedonisë Perëndimore ( trevat Lindore etnike shqiptare) popullsia shqiptare ortodokse është ruajtur e paprekur në aspektin kombëtar (të gjuhës, të traditave, të dokeve e të zakoneve, të veshjes, etj.). Vetëm në fshatrat e Rekës së Epërme dhe në ndonjë fshat të rajoneve të tjera, por shumë pak në qytete. Por nëse kjo politikë vijon edhe më tutje, edhe pse shqiptarët janë në përgjithësi mjaft të qëndrueshëm kundrejt asimilimit, numri i tyre do të pakësohet edhe më.
Është detyrë kombëtare dhe historike, sidomos e intelegjencisë shqiptare (Ortodokse) në Maqedoni, të ngrejë zërin sa nuk esht bere ende vonë dhe pa u trembur për privilegjet e pozitën, të pohojnë kombësinë e saj shqiptare. Ortodokësve shqiptarë u duhet thënë e vërteta, t’u duhet se deri tani kanë qenë të mashtruar, sepse kombin e bëjnë gjaku i njejtë, gjuha, traditat, zakonet, folklori, kostumografia, etj, e jo besimi apo religjioni fetar. Të gjitha këto ata i kanë shqiptare. Shqiptarët qëmoti e kanë kuptuar se feja e shqiptarit është shqiptaria, siç thotë Pashko Vasa.
Prandaj, edhe zënkat, ndarjet dhe urrejtjet për shkaqe fetare, tashmë, gjithkund do t’i takojnë së kaluarës. Kështu, shqiptarët muslimanë dhe katolikë në Maqedoni e gjeti me kënaqësi do të pranonin një hap të tillë të bashkëkombësve të tyre ortodoks.
Penestët  në antikitet janë fis ilir, banorë të krahinës së Penestisë, në Luginën e sipërme të Drinit të Zi e rreth saj. Përmenden  për herë të parë më 170-169 p.e.s. dhe luajtën një rol të rëndësishëm në luftën e tretë maqedone – romake. Treva e penestisë përfshihej në mbretërinë ilire. Në vitin 169 p.e.s. Perseu për tu lidhur me mbretërinë ilire, hyni në tokat e Penestisë, pushtoi qytetet e tyre dhe dëboi këndej garnizonet romake. Në trojet e Penestisë kishte 14 qytete e kështjella, prej të cilave njihen me emrin Uskana që ishte edhe kryeqendra e krahinës Oeneu dhe Draudaku.
Pas vitit 168 p.e.s. emri i Penestisë e i qyteteve të tyre nuk përmendet më.  Pra, „Penestët ishin një nga fiset e mëdha ilire që shfaqen në arenën historike shumë vonë. Në burimet letrare ato përmenden aty nga gjysma e parë e shek. II p.e.s.,  në ngjarjet që lidhen me luftën e fundit të shtetit Ilir dhe Maqedonisë kundër R. Romake. Njohtimet për këto ngjarje i kemi kryesisht nga Tit Livë, i cili mbështetet te Polibi dhe në ndonjë rast tek analistët romake…“. 
Burimet antike dhe ato modern përmendim fisin ilir të “penestëve”, si banorë më të hershëm të trevës dibrane dhe trojet e tyre “Penestinë”. Sipas këtyre burimeve Penestia shtrihej në Luginën e sipërme dhe të mesme të luginës së Drilonit antik (Drinit i Zi). Burimi më i vjetër për penestët dhe Penestinët janë njohtimet e cunguara të Polibit.
Njohtimet më me interes për penestët dhe Penestinët janë ato që kemi nga historiani romake Tit Livi.  Njoftimet e tyre kanë të bëjnë me Luftën e tretë Maqedone – Romake (170 – 169 p.e.s.), ku treva e Penestisë u kthye në shesh hutimesh, që kanë të bëjnë me veprimet e mbretit të Maqedonisë, Perseut, kundër garnizonit romake në Penesti. Rreth problemit se cilët qenë trojet e penestëve, janë shprehur mendime të ndryshme, por shumica e studiuesve modern pajtohen me mendimin se trojet e fisit ilir të penestëve shtriheshin në Luginën e Drinit të Zi dhe rreth saj, ose më saktë në trevën dibrane.  Në veri penestët ishin në fqinjësi me dardanët, në perëndim me pirustët, në lindje me grupin ilir të paionëve dhe në jug me dasaretët.
Rreth përcaktimit të atdheut të penestëve, studiuesit, janë mbështetur kryesisht tek rruga që ndoqën përfaqësuesit e mbretit maqedon, Perseut, për në Labeati tek mbreti Gent, ose tek fqinjësia e maqedonëve me labeatët.
Për lokalizmin e trojeve të penestëve (Penestisë) në luginën e Drinit të Zi, respektivisht në trevën e sotme dibrane u shprehën:VV.M. Leak – cili vendos penestët dhe Penestinën në fushën e Drinit të Zi, d.m.th. në luginën e mesme  të tij, sipas tij, vetëm me pushtimin e kësaj fushe vendosen kontakte midis mbretërisë së Perseut dhe Gentit. Me këtë mendim bashkohen edhe G. Zippel, J. Kromayer, G. De Sanctis, E. Pais, D. Mustili, F. Miltmer, P. Melom, P. Lisiçar dhe F. Vvalbank, etj. Këtë lokalizim e pranuan edhe autorët e Historisë së Popullit shqiptar studjues shqiptar si S. Islami, H. Sadiku, K. Frashëri, A. Bunguri, J. Koca, etj.
Me pikëpamjen tjetër, e cila vendos atdheun e penestëve në jug të malit Sharr u bashkuan F. Geyer, N. Vuliç, N. Hammond, F. Papazoglu, T. Tomovski dhe në fund studiuesi shqiptar Zef Mirdita, i cili duke marë për bazë delegacionin maqedon e vendas qytetin Uskana në Kërçovë, Drandakun në Gostivar dhe Oenenë në Tetovë.
Sigurisht që të dy palët, për lokalizmin e qyteteve peneste, janë mbështetur duke arsyetuar mbi mundësinë se nga ka kaluar degata e mbretit maqedon. Të dhënat arkeologjike në favor të njërës apo tjetrës tezë mungojnë. Kuptohet se fjalën e fundit do ta thonë kërkimet arkelogjike, kur do të bëhen si në njërën apo në tjetrën trevë të supozuar si troje të penestëve.
Pra, banorët e parë të Penestisë antike kanë qenë fisi i madh ilir i penestëve, të cilët në këto hapsira kanë ngritur vendbanimet e tyre si Uskana, Draodakumi, Oenemi, etj.
Pas Luftës së tretë mqaedone-romake (171-168 p.e.s_ edhe zona e Penestisë bie nën sundimin romak. Në fund të shek. IV e.s. edhe rajoni i Penestisë hyri në kuadër të provincës së Epirit të Ri me kryeqendër Durrahun. Gjatë kësaj periudhe përhapet gjerësisht krishterizmi në mesin edhe të banorëve të këtij rajoni.
Sllavët u dyndën në këtë rajon në shek. VI dhe gjatë shek. VII Pushtimet sllave, edhe pse u shoqëruan me thurjen e territoreve periferike të Ilirisë dhe me kolonizimin e tyre, nuk arritën të asimilojnë popullsinë e tyre autoktone iliro- shqiptare dhe të ndryshonin fizionominë etnike të territoreve  të saj,duke përfshirë  këtu edhe rajonin e Rekës (luginën e Radikës Ardika antike) dhe rrjedhën e mesme të lumit Drini i Zi. Shqiptrët i rezistuan ndikimeve asimiluese të pushtimit sllav,sepse në kohën e dyndjes dhe invazionit të tyre,ato ishin formuar  tanimë si njësi e veçantë etnike ,si një popull me territoret e tij kompakte ,me një kulturë  të veçantë(kultura e Komanit)në mesjetën e hershme,  dhe të shoqëruar me të gjitha veçoritë e tjera.
Popullsia  shqiptare edhe e këtyre trevave Lindore  e mbajti identitetin e vet kombëtar ndaj pushtuesve të ndryshëm ,atyre bullgarë  në shek. IX-fill. i shek XI,bizantinë sh.XI-XIII dhe atyre serbë në vitet-1282-1355. Pas shkatërrimit  të Perandorisë së Dushanit ,i tërë rajoni i Dibrës së poshtme ku hynte edhe rajoni i Rekës, ra nën sundimin e Principatës së Balshajve.  Rajonin e Dibrës ku hynte edhe malësia e Rekës, me këtë principatë e afronte përbërja e njëjtë etnike shqiptare e popullsisë së tij.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV, në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti.  Në këtë periudhë zotrimet e tij duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim të trevave lindore, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës, sepse, sipas M. Barletit dhe Gjon Muzakës, Gjon Kastrioti qe martuar në atë kohë me Vojsavën (Jellën, sipas një dokumenti raguzian të vitit 1439), vajzë  e një dere fisnike të rëndësishme pranë Shkupit.
Në shek. XIII, një pjesëtar i familjes Gropa, i quajtur Pal Gropa, shfaqet si kryezot i Ohrit e i Dibrës. Më 1378, gjejmë si kryezot të këtyre vende një Andrea Gropa, që duket të jetë i biri i të parit. Pas Luftës  të Kosovës (1389), principata e Gropajve mori fund.  Në kohën e Skënderbeut ata u bashkuan me të dhe pas vdekjes së tij u vendosën në Itali, ku gjenden me të dhe pas vdekjes së tij u vendosën në Itali, ku gjenden edhe sot e gjithë ditën, duke ruajtur gjithnjë traditën, gjuhën dhe zakonet shqiptare.
Pinjolli i kësaj familje është Zaharia Gropa,  një nga fytyrat më simpatike ndër oficerët e Skenderbeut, i cili ka qenë burrë trim, ushtar i vendosur dhe njëkohësisht, diplomat si Uran Konti dhe Tanush Topia, për të cilin diplomat si Uran Konti dhe Tanush Topia, për të cilin kanë bindje se edhe ishte nga rajoni i Rekës
Në shek. e XIII, në Krahinën e Pollogut përmenden si administrues persona nga familjet feudale të Sinadinëve. Siç na njoftojnë burimet bizantine, anëtarë të kësaj shtëpie feudale shqiptare të Pollogut kishin lidhje familjare me derën perandorake bizantine. Kalojan Sinadini ishte martuar me vajzën e Konstantin Paleologut, të vëllait të Mihailit VIII Paleolog, pernador i Bizantit. Kjo martesë ndihmoi Kalojan Sinadinin që të fitonte tituj e pozita të larta shtetërore. Me këtë rast u emërua edhe si sevastokrator ose zyrtar i lartë e mëkëmbës perandorak, si dhe komandant ushtarak. Duke shfrytëzuar luftërat e brendshme në Perandorinë Bizantine, për frontin perandorak, Kalojan Sinadini, gjatë viteve 1268-1269 dhe 1275, u shkëput nga qeveria qendrore dhe u shpall i pavarur. Me këtë rast e ktheu Pollogun në Principatë. Po në këtë kohë, në pjesën veriore të Pollogut (ose në Pollogun e Epërme dhe në Rekë) me qendër Gradaciomin (Gradeci i sotëm) u ngrit dhe u forcua familja feudale shqiptare e Tribaldëve ose Tribalëve. Kësaj dere princërore shqiptare i takonte edhe Vojsava, e ëma e Skenderbeut.
Në Luftën e madhe shqiptaro –turke në shek. XV, nën udhëheqjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, popullsia e kësaj ane (treve) për një çerek shekulli mori pjesë aktive në këto luftëra. Dhe jo rastësisht, nga 24 beteja që bëri heroi i ynë kombëtar, Skënderbeu për një çerek shekulli, shumica e tyre u zhvilluan në trevat lindore shqiptare si : dy në Pollog, një në Rekë (1466), një në Shkup (1462), etj. 
Në mes të vitit 1467, kur Skënderbeu gjendej në Itali, nënpunësit osman kryen regjistrimin e popullsisë e të tokave në një rajon të kufizuar të viseve të sheklura prej tyre për të vendosur në to sistemin feudal ushtarak të timarëve. Ky regjistrim dëshmon mirë për pjesmarrjen masive të shqiptarëve në luftë. Sipas tij, dhjetëra fshatra ishin shkatërruar dhe braktisur nga popullsia, kurse shumica e fshatrave të tjera kishin mbetur me pak banorë dhe kishin nga një familje deri në dhjetë. Kjo pamje e shkretuar e vendit ishte shkaktuar nga rrënimet e luftës dhe masakrat e pushtuesve.
Për këtë arsye, banorët e kësaj treve u quajtën përveç Rekali edhe Shkreti (Shkret, kat., A. UR – e le të shkretë dikë, pa njeri, , që njihen edhe sot e gjithë ditën me këtë emër. Sipas një njoftimi që rrjedh nga Kisha orhtodokse sllavomaqedone, sinodi i saj që mban mbledhje në përfundim të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002, në mes tjerash është diskutuar edhe rreth statusit të “maqedonëve orthodox” të cilët flasin gjuhën shqipe, si dhe rreth mundësisë që ato t’i bashkangjiten Arqipeshkvisë së Ohrit, të cilën e proklamuan murgjet që mbështesnin Zoran Vranishovskin që mbështetet pa rezervë nga Patriakana ortodokse serbe. Kjo popullsi, që akoma vazhdon të quhet “shkreti”, të cilët banojnë në rajonin në mes Gostivarit dhe Dibrës, gjegjësisht në një pjesë të trevave lindore shqiptare, përfshin  fshatrat: Trnicë, Sence, Volkovi, Nistrovë, Ribnicë (Lumnica), Grekaj, Bibaj, Krekornicë, Bogdevo, e Brodeci (Vau), ku banojnë edhe pjestarët e tjerë të bashkësisë shqiptare të besimit islam. Sipas resgjistrimeve dhe dokumentareve etografike në këtë rajon dhe në Gostivar, Tetovë e Shkup ka më shumë se një mijë frymë “shreti”. Për, këto, është e interesuar edhe epariha Dibër – Kërçovë e Kishës Ortodokse sllavomaqedonase, e cila ka angazhuar disa murgje, nga manastiret e atjeshme që të mësojnë gjuhën shqipe, me qëllim që të kenë komunikim më të afërt me tërë qytetartë.
Nga ana tjetër, në regjistrimin e vitit 1994, rreth 900 persona janë deklaruar shqiptarë me besim fetar ortodoks, gjegjësisht pakë më shumë se numri aktual që mbështesin Arqipeshkvinë autonome të Ohrit.
Është përpjekja e radhës që këto shqiptarë ortodoks në vend që të jenë në arealin e Kishës ortodokse shqiptare, sërish hegjemonia serbe përpiqet që me satelitët (renegatët) e vet t’i gllabëroi edhe këto pakë shqiptarë të quajtur “shreti” që akoma nuk janë asimiluar tërësisht
Ajo lidhet edhe me largimin e popullsisë shqiptare, të paaftë për luftë, në vende të sigurta e të paarritshme për armiqtë, ndërkohë që të tjerët gjendeshin në radhët e njësive dhe uria detyroi të emigronin nga Shqipëria në vende të tjera, kryesisht në Itali e brigjet veriore të Detit të Zi (rajoni i Odesës) me dhjetra mijëra shqiptarë.
Regjistrimi i vitit 1467 tregon se osmanët kishin arritur përkohësisht të shtinin në  të një numër kështjellash të Skënderbeut, që kontrollonin rrugët e komunikimit të Krujës me viset që shtriheshin në lindje të saj, si Stelushi, Guri i Bardhë, Koxhaxhiku, Rahovnikut (Dibrën), etj. Gjithashtu ai dëshmon se në atë kohë, ndërmjet shqiptarëve dhe osmanëve ishin zhvilluar luftime të ashpra në tri rajone kryesore: në atë të Krujës, të Koxhaxhikut (lugina e Drinit të Zi dhe në Juglindje të Dibrës) dhe Rekës ( në verilindje të Dibrës). Në këtë rajon shumë fshatra ishin braktisur tërësisht nga banorët për shkak të luftimeve të ashpra që ishin zhvilluar pranë tyre. Ndërkohë osmanët u përpoqën të vinin nën kontrollin e plotë të tyre edhe rajone të tjera, prandaj vijuan regjistrimin kadastral të tyre në rajonet e Tetovës e të Kërçovës.  Studimet e deritanishme të kryera në historiografinë e vendeve të ndryshme kanë treguar që ndërmerreshin nga sunduesit osmanë për të zbutur sistemin e timarsit, janë burime historike të një rëndësie të dorës së parë. Ato, duke qenë burime vendase dhe të brendshme sjellin të dhëna shumë me interes për problemet më të rëndësishme të historisë së shekujve të parë të pushtimit osman.
Nëpërgjithësi, si studiuesit e huaj, ashtu edhe ato shqiptarë, e kanë përqendruar deri më sot vëmendjen në studimin e të dhënave të karakterit shoqëror – ekonomik që sjellin këto burime.
Një vëmendje më e paktë i është kushtuar deri tani studimit të të dhënave të karakterit etnik që mund të nxirren nga këto burime. 
Regjistrimet osmane të shek. XV-XVI duke qenë të hartuara për qëllime krejt të tjera nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta për anën etnike të nxirren konkluzione për këtë çështje. Siç është e njohur, për efekt të pagimit dhe të mbledhjes së detyrimeve feudale nga fshatarësia, eminët e kadastrës osmane ishin shumë të interesuar të regjistronin në defterë të hollësishëm (mufassal), emër për emër, çdo fshat e çdo kryefamiljar, i cili në fakt përfaqësonte një vatër (hane), d.m.th. një unitet tatimore, çdo beqar dhe çdo grua të ve. Si rrjedhim këta defterë, të cilësuar në literaturë, si defterë të tipit emëror, na japin të gjithë toponiminë dhe antroponime e përdorur në krahinat e regjistruara gjatë periudhave përkatëse. 
Të dhënat toponamastike dhe antroponomike që sjellin këta defterë tregojnë qartë se shqiptarët gjatë shek. XV – XVI banonin në krahinën e Dibrës, të Strugës, Ohrit, Kërçovës, të Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit, etj.
Siç është vënë në dukje me kohë në literaturën historiografike, kjo rrugë studimi është mjaftë e vështirë dhe nuk të çon gjithmonë në konkluzione se çfarë fshihet nga ana etnike, në një moment të dhënë, prapa një toponimi ose autotoponimi. Megjithëkëtë mendojmë se ajo duhet  përdorur, duke u përpjekur për të eliminuar anët e dobëta të saj dhe duke e krahasuar me të dhënat e burimeve të tjera historike.
Kusht themelor për shfrytëzimin e vlerësimin e të dhënave të onomastikës mendojmë se është të vështruarit e saj gjithmonë Brenda kuadrit të rrethanave historike, në të cilat është krijuar. Të nisur nga kjo mund të themi se toponimia sllave gjë gjendet gjerësisht në krahinat e sanxhakëve të Ohrit, Kankadelenës, etj, e në këtë kuadër edhe të Nahisë së Rekës, pasqyron kontakte historike të kryera me kohë para shek.XV.
Ajo nuk na jep mundësi të gjykojmë mbi problemin se çfarë popullsie kishin në shek. XV vendbanime me një toponimi të tillë. Është tepër të themi se studimi i këtyre toponimeve përbën një problem të veçantë.
Ndryshe paraqitet puna me toponimet shqipe. Ato mund të përdoren me njëfarë sigurie si argument për të dëshmuar se vendbanime të tilla ishin troje të banuara nga shqiptarët, sepse ato në vetvete dëshmojnë që aty popullsia e vjetër vendase kishte mundur të qëndronte dhe t’i bënte ballë asimilimit nga ana e elementeve sllav gjatë periudhës para shek. XV. 
Krahina e Rekës së Epërme, shtrihet në trevat Lindore shqiptare, midis Gostivarit e Dibrës së Madhe e më thellë dhe përbënë një tërësi me Krahinën si motër të Lumës, të cilat mali Korab i ndanë , dhe se historikisht kanë paraqitur një tërësi. Teritori i Rekës së Epërme përfshin rrjedhën e epërm të Lumit Radikë, ku janë të vendosur 16 fshatra: Beliçicë, Bibaj, Bogdi, Grekaj, Kiçinicë, Krahornicë, Nishtrove, Niçpuri, Nivishtë, Rimnicë, Sencë, Tanushaj, Van, Valkovia, Vërbeni, Zhuzhnja, Dufi, Sezimiri, Bradeci, ReçI, Spiroglica, etj.  Prgjat rrjedhës së epërme të lumit Radik dhe në shpatiet e maleve shtrihen së paku 16 fshatra të banuara me popullsi shqipëfolëse. Kjo krahinë e vogël nga veriu kufizohet me malin Vraca dhe Republikën e Kosovës, nga lindja me malet Bistrica e Kozhuf dhe Liqenin e Mavrovës, nga jugu mbaron me fshatin Sencë, i cili shtrihet në anën e majtë të lumit Radikë dhe nga perëndimi ka karshillëk malin e Korabit dhe krahinën simotër të Lumës.
Për përcaktimin e karakterit etnik të popullsisë nuk mund të ndiqet në mënyrë apsolute as kriteri se çdo banor me emër sllav është sllavë dhe jo shqiptarë dhe anasjelltas.  Megjithë këtë, ky kriter të çon në rezultate më të sakta se kriteri toponimik, sepse antroponomia lidhet dhe pasqyron më mirë kushtet reale historike, ndryshimet shoqërore dhe deri në një farë shkalle edhe ndryshimet etnike të ndodhura në periudhën së cilës i përket. Për studimin e gjendjes etnike nëpërmjet antroponimisë paraqet disa vështirësi. Së pari, është vështirë që grumbullimin e madh të emrave të banorëve të regjistruar në regjistrimet e viteve 1536-1539 dhe 1583 për Sanxhakun e Ohrit,  ku ka gravituar edhe Nahia e Rekës, ta ndajmë saktësisht dhe në mënyrë të prerë në dy pjesë, në atë të, përdorur nga popullsia shqiptare dhe në atë të përdorur nga popullsia slave. Kjo është e pamundur, për arsye se një sasi jo e vogël banorësh, mbanin  emra të sferës ortodokse të cilët ishin të përbashkët për të dy popullsitë shqiptare e slave, si p.sh. Nikolla, Andrea, Gjorgji, Dhimitër, Petër, Mihail, etj., së dyti, është vështirë të ndiqet ngushtësisht kriteri se një banor me emër sllav është sllav dhe jo shqiptar ose e kundërta. Zakonisht në historiografi ky kriter është ndjekur në mënyrë absolute duke vënë shenjën e barazimit midis antroponimisë dhe etnicitetit. Për studimin e këtij problem lidhur me krahinën e Rekës së Epërme, një rrugë e tillë është e gabuar pasi kështu çështja gjykohet duke u nisur nga rrethanat e sotme dhe jo nga kushtet konkrete historike, nga rrethanat politiko-shoqërore dhe kulturore – fetare të periudhës së marrë në shqyrtim.
Gjatë shek. XIII kufijtë e mbretërisë serbe në tokat shqiptare erdhën duke u zgjeruar, derisa nën Stefan Dushanin (1333-1355) përfshinë bashkë me pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik edhe pjesën më të madhe të tokave shqiptare, e në këtë kuadër edhe rajonin e Rekës. Në këtë periudhë bie edhe themelimi i patrikanës autonome serbe (Patrikana e Pejës) me qendër në Pejë. Pas shkatërrimit të këtij shteti në gjysmën e dytë të shek. XIV mundën të krijohen principatat feudale shqiptare të pavarura, në krahinat etnike shqiptare, si ajo e Balshajve, Spanëve, Dushmanëve, Gropajve, Kastriotëve, të sundimtarëve të Pollogut, etj.
Në vitin 1467, gjatë okupimit të përkohshëm të zotërimeve të Skenderbeut, si dhe më vonë, pas thyerjes së qëndresës shqiptare, në tokat e pushtuara rishtas u krijua një njësi e re administrative e që përfshinte nahitë e Dibrës së Poshtme, Golobërdës, Çermenikës, Matit, Urakës, Dhimitër Gjonimës, Krujës, Bendës, Kurbinit, Tamadhesë dhe Rekës, të cilat së bashku formonin tri kaza të veçanta dhe atë: Kazaja e Matit, Krujës dhe Dibrës, në kuadër të së cilës ishte edhe Nahija e Rekës. Këto tri kaza, siç duket, aty nga fundi i shek. XV ishin përfshirë në Sanzhakun e Ohrit.
Sipas defterit të Xhizjes të vitit 1490 në Sanzhakun e Ohrit bënin pjesë vilajetet: e Ohrit, Debricës, Mokrës, Dibrës, së Sipërme, Dibrës së Poshtme, Çermenikës, Golobërdës, Kurjës, Tamdhasë, zotërimet e Kali-ilisë (ish Karl – Topia) dhe Vilajeti i Rekës. Në vitet 1529-1536 Sanxhaku i Ohrit përfshinte kazatë: e Ohrit, Krujës, Matit dhe Dibrës, ku hynte edhe Reka. 
Në vitin 1583 Sanxhaku i Ohrit ka pasur të njëjtën shtrirje dhe përfshinte Kazatë e Ohrit, Krujës, Matit, Dibrës, Ishmit, Starovës dhe Dibrës, ku përfshihej edhe Nahija e rekës.
Sipas regjistrimit të vitit 1467 *Defteri esami vilajeti ve Defteri No-508 të përkthyer dhe redaktuara nga profesor Selami Pulaha, Zotërimet (Pronat) e Kastriotëve shtriheshin në Dibër të Epërm, Dibër të Poshtëm, Golobërdë dhe Rekë e cila numëronte gjithsej 1570 shtëpi të Krishtera, ndërsa vetëm në Nahinë e Rekës 231 shtëpi.
Numri mesatar i shtëpive për një vendbanim nuk paraqitet i njëjti në të gjitha trojet shqiptare. Numrin më të ulët të banorëve e kishin vendbanimet që ishin në zotërimet e Kastriotëve, si p.sh. në Nahinë e Krujës, ajo ishte 2.1 shtëpi në Bendë e Kurbin 5.1 shtëpi, në Nahinë e Rekës 4.9 shtëpi, etj., ndërsa dendësia e shtëpive ishte tepër e vogël, 6.9 shtëpi për Km². Ky shpopullim kishte ardhur kryesisht si pasojë e veprimit të faktorit politik, në radhë të parë nga rrënimet, nga shkatërrimet e qendrave të banuara, nga vdekjet gjatë luftërave për të mbrojtur lirinë dhe trojet e veta, nga migrimi për në Itali e vise të tjera, sidomos nga trevat bregdetare dhe më pak nga ato  të brendshme malore. Kjo është gjithashtu një fakt që dëshmon për qëndresën e madhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë. Në këtë drejtim më shprehës është rasti me zorimet e Kastriotëve (Skënderbeut) nga Reka në Lindje deri në Krujë në perëndim. Këtë ishin shpopulluar thuajse tërësisht për shkak të sakrificave të pashembullt në luftë dhe të masakrave që kreu sulltan Mehmeti II në vitet 1466 e 1467.
Krahina e Rekës së Epërme ndër shekuj ka qenë rajon lufte. Burrat e kësaj ane çdo herë kanë kundërshtuar pushtuesin e huaj, duke filluar që në antikitet, kundër romakëve, e më pas kundër Bizantinëve, bullgarëve, serbëve si dhe para dhe gjatë peridhës së luftrave të Skenderbeut në shek. XV. Me rastet kur ushtrit e Skenderbeut kanë ndjekur lëvizjet e taborreve osmane nëpër Krahinën e Rekës në Luginën e Radikës, me qindra rekali, i janë bashkuar ushtrisë së tij. Dhe një ndër to ka qenë edhe një ndër komandantët më besnik Vrana Konti, varri i të vilit gjendet në këtë krahinë, në afërsi të fshatit Lumnicë ose Rimnicë, të vendi i quajtur „TE VORRET KOONDTES“. Për këtë brez pas brezi në popull janë përcjellur shumë gojdhëna. Njëra prej tyre është e plakut Ilmi Osmani, i cili në mes tjerash tregon se: „... Para shumë vitesh, 1443, në kohën e Skenderbeut, ka jetuar një burrë shumë i alrtë, 2 metra, i cili po ashtu ka qenë luftëtar i madh dhe burrë i fort... „ burrë me halle“. Mirëpo, pas një kohe dhe luftës së humbur,  ai është kthyer në katund (Fshat( i sëmurë dhe i mbërzitur, duke ardhur kam Skerteci (emër i bjeshkës së fshatit Tanushë) ka marrë dy rrasa të mëdha, nën sqetulla dhe kur paska mbërri në vendlindje ka thënë: se këta do t’ia bëjnë gur vorri...“.
Për trimërinë e burrave të Rekës, dëshmojnë edhe kronistët osman, të asaj kohe, në kronikën e Urunxhi-it Tevariti-i all osman shkruan: „Ai popull është popull cubash“. Gjithashtu, në kronikën e Gizes-s thuhet: "Ai popull është popull cubash“, nuk janë besnik ndaj sunduesve të tyre, flasin një gjuhë të veçantë dhe haraçin nuk e paguajnë“.  Pas vdekjes së Skënderbeut, kryengritjet antiosmane do të vazhdojnë edhe në vitet dhe shekujt në vijim, duke mos u pajtuar me administratën dhe tatimet shumë të rënda që rëndonin mbi supet e tyre.
Studiuesit dhe historiani i shquar Selami Pulahu duke shfrytëzuar defterët e spahinjve të Rumelisë, që ruhen në Top–kapu muzesinin arsivi, defterin, nr. 734, në mes tjerash na jep të dhënat për numrin e vendbanimeve në zotërimet e Kastriotëve. Në vitin 1467, Nahija e Rekës ka numëruar 47 vendbanime me 231 shtëpi, ndërsa në fund të shek XVI, ose me regjistrimin e vitit 1583, Nahija e Rekës ka pasur 43 vendbanime me 1223 shtëpi. 
Për të pasur një pasqyrë më të plotë për  Rekën e Epërme, kemi shfrytëzuar disa herë për këtë punim defterët e hollësishëm të shek. XV- XVI, të përkthyer e të botuar nga Arkivi i Maqedonisë, të përkthyesve nga Dr. Aleksandër Stojanovski dhe Metodija Sekulovski, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e subjektivizmit të përthyesve dhe redaksive të tyre. Të dhënat janë për fshatrat: Beliçica, Bogdevo, Volkovi, Vërbenë, Girqan, Kiçinicë, Krakornice, Nishtrovë, Niçipur, Rimnicë ( Lumincë siç e quajn anasit) Sencë dhe Zhuzhle ose Zhuzhnjë.
BELIÇICA, në regjistrimin e vitit 1467, është i shënuar me emrin Bliçicë,  është fshat i krishterë, i pa banuar (hali). Shtrihet në verilindje të Dibrës dhe hynte në Nahinë e Rekës. Në vitin 1519, numëron 18 familje; në vitin 1536-1539 janë të regjistruara 18 familje e 2 beqarë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1583, fshati po ashtu hyn në Nahinë e Rekës së Epërme ( e Madhe), që bënte pjesë në sanxhakun e Ohrit, numëronte; 30 familje të krishtera me 56 persona e 20 beqarë, i paguante spahiut 2 000 akçe në vit dhe, punonin 4 mullinj gati tërë vitit. Emrat e banorëve të fshatit janë; Boshko Gjon, Stojko Leka, Bogdan Pejo, Petko Gjon, Gjin Gjon, Vele Gjin, Gjin Pero, Stojko gjin, Bran Nikolla, Petro Gjin, Pero Leka, Leka Pero, Nikolla Stojko, Leka jane etj. 
BOGDEVË, Është fshat i krishterë dhe shtrihej në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467, Bogdeva është “has” i Karagjoz beut dhe hyn në përbërje të Vilajetit të Rekës; në regjistrin e vitit 1467 është shënuar me emrin BOGDV, i paguante timarliut 143 akçe, numëronte 3 familje: Stojko Tome, Nikolla Sklav dhe Petko Tome.  Në regjistrimin e vitit 1519, fshati është regjistruar me emrin BOGDEVË, me 16 familje të krishtera, që nuk ndryshon as në regjistrimin e vitit 1536-1539; ndërkaq në regjistrimin e vitit 1583, fshati shtrihet në Rekën e Madhe ose të Epërme, hyn në Nahinë e Rekës dhe bënte pjesë në Sanxhakun e Ohrit. Fshati numëronte; 10 familje të krishtera, 28 persona e 18 beqarë dhe, timarliut i paguante 955 akçe në vit. Disa nga banorët kanë qenë; Nikolla Meto (Mijo), Bogdan Marko, Gjin Pejo, Nikolla Pejo, Pejo Bogri, Pop Pejo, Petri Jove etj.

VOLLKOVI- Në vitin 1467, fshati ka qenë derven e i krishterë; shtrihej në verilindje të Dibrës, i takon Nahisë së Rekës. Në defterin themeltar të këtij viti, është shënuar në kuadër të Vilajetit të Rekës, është “has” i “zaimit”. Pra, Zaimet e Rekës së Karagjoz Beut dhe numëron; 6 familje të krishtera. Kultivon grurë, elb, dhekër e bletë dhe i paguan timarit 77 akçe në vit. Emrat e kryefamiljarëve: Progon Tome, Kole Tome, Andrea Tome, Hozhava Tome etj.  Në regjistrimin e vitit 1519, ka të regjistruar 13 familje të krishtera. Fshati Vollkovi në vitet 1519-1583 ishte derven, shtrihej në Rekën e Epërme ose të Madhe, pranë fhstrave Trnicë e Debovë(fshat i zhdukur).
Edhe në regjistrimin e  vitit 1583, fshati Vollkovi, është fshat derven, hynë në Nahinë e Rekës, që bënte pjesë në Sanxhakun e Ohrit, numëronte: 40 familje të krishtera, me 40 çifte e 5 beqarë dhe i paguante timarit 2514 akçe në vit.
Disa emra emra të kryefamiljarëve: Pejo Gjon, Dimitri Gjursan, Stojan Pejo, Kojo Pejo, Dimtri Stojan etj.
Vollkovia është fshat i vjetër derven. Spahiut të tyre i paguanin për çdo person gjatë vitit nga 10 akçe në vit ispenxhe. Në regjistrimin e vjetër është shënuar se e rregullojnë dhe e mirëmbajnë Urën e radiks dhe rrugën që niste nga Kankandeleni (Tetova). Në bazë të një dokumenti të më hershëm, në regjistrimin e fshatrave tatimet e jashtëzakonshme (“avarizi Divanie ve teqalife-Ofrie”), pra taksat e jashtëzakonshme. 
GIRQANI ose GREKAJ - Është fshat i krishterë. Shtrihet në verilindje të Dibrës dhe bënte pjesë në Nahinë e Rekës, në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Në regjistrimin e viteve 1536-1539, fshati ka të evidentuar 11 familje e 1 beqar. Në vitin 1583, fshati numëronte 20 familje, 28 persona e 8 beqarë; i paguante timarit ose spahiut 1070 akçe në vit dhe ka pasur 2 mullinjë që kanë punuar tërë vitin. Emrat e disa kryefamiljarëve; Lazar Gjin, Petri Bogdan, Jovan Gjin, Keko Gjin, Keko Todor, Gjin Petko, Dede Bodin, Zaharia Gjin etj.

VËRBEN-Shtrihet në verilindje të Dibrës dhe bën pjesë në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467,  fshati ka të evidentuar 9 familje të krishtera, me 722 akçe të ardhura dhe ishte “has” i Karagjoz Beut. Është shënuar me emrin VIRBNI. Emrat e kryefamiljarëve; Gjergj Luçe, Vasko Luçe, Margin Popi, Pale Skure, Kole Kozmaj, Mile Gjirak, Tanush Gjirak etj.
Në regjistrimin e vitit 1536/39, fshati numëronte 93 familje të krishtera, 5 beqarë e 1 vejushë si dhe, 1 familje myslimane.
Në defterin osman për Sanxhakun e Ohrit të vitit 1583,  në mes tjerash thuhet se; fshati është i evidentuar me emrin VIRBEN me 50 familje të krishtera dhe 20 familje myslimane, prej të cilave 13 të islamizuara dhe se, fshati shtrihej në verilindje të Dibrës, në mes fshtrave Shtirovicë dhe Sencë. Me këtë regjistrim fshati ka numëruar 165 persona, 3 çifte, 120 familje të krishtera, 37 beqarë dhe 5 bashtina si dhe është fshat derven.
Fshati hynë në përbërje të Nahisë së Rekës dhe timarliut i paguajnë 17.000 akçe në vit si dhe, në fshat punojnë tërë vitin 4 mullinj dhe po ashtu janë të regjistruar se ka bletë.
Emrat e disa banorëve; Mustafa Pejo, Nikolla Bogdan, Pal Llazari, Mezak Llazari, Gjin Bogdani,  Pal Kole (Çole), Laç Pejo, Pal Marko, Marko Gjin, Mir Pal, Pal Todor, Jovan Gjon, Pejo Nika, Pejo Lato, Koja Pal, Kojo Gjergj, Pal Gjergj, Gjon Gjurro, Marko Gjin, Gjergj Pejo, Jovan Gjon, Gjergj Joko ( Boko), Gjon Petko, Petar Tanushi, Pero Marko, Gjin Shimjat etj.  ( Turski dokumenti za Ohridskiot Sanxhak, T. VIII/I, f. 632-633).

KIÇINICË- Është derven dhe kryesisht i krishterë. Shtrihet në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467, ka qenë i shkretuar e i pa banuar, ndërkaq në vitin 1519, fshati është merza dhe përsëri janë vendosur 8 familje të krishtera. Pra, fshati shtrihej në Rekën e Epërme ( e Madhe). Në regjistrimin e vitit 1583,  fshati Kishnicë, është derven dhe kanë ruajtur e mirëmbajtur rrugën Kallkandelen-Dibër dhe i takon Nahisë së Rekës që hynte në Sanxhakun e Ohrit dhe ka të evidentuar 12 persona, 6 familje të krishtera, 6 beqarë si dhe i kanë paguar spahiut 360 akçe të ardhura në vit.
Emrat e disa kryefamiljarëve: Mehmet Pervane, Dervish Pervane, Petri Gjin, Gjin Gjorçe, Stojan Çernak, Pejo Pali etj. 
KRAKORNICË- Fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467, fshati ka qenë “has” i Karagjoz Beut, bënte pjesë në Vilajetin e Rekës, ka numëruar 3 familje të krishtera dhe i ka paguar timarit 143 akçe në vit. Sipas këtij regjistrimi banorët kanë qenë: Gjon Duçe ose Doçe, Gjon Kirkit ose Kirgit dhe Miho Meksha. 
Në vitin 1519, fshati ka numëruar 12 familje çifte të krishtera dhe 1 beqar. Në regjistrimin e vitit 1583, fshati Kakornicë është në kuadër të Nahisë së Rekës, që shtrihej në verilindje të Dibrës në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Fshati ka numëruar 33 persona, 1 familje jobesimtare, 20 familje të krishtera e 1 beqar, ka punuar 1 mulli dhe timarit i kanë paguar për çdo vit 1113 akçe. Disa nga banorët: Mahmut Abdulla, Pal Petko, Lin Janica, Laç Tode, Petri Stojan, Leko Miho, Gjon Miho, Lado Pejçin etj.  (Turski dokumenti, T. VIII/I, f. 625).

NISHTROVË- Është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës në Nahinë e Rekës. Në Vitin 1467, Nistrova është “has” i karagjoz Beut, hynë në kuadër të Vilajetit të Rekës, i paguan timarit 901 akçe në vit, ka pasur 2 mullinj dhe ka numëruar 11 familje të krishtera. Banorët e fshatit sipas këtij regjistrimi kanë qenë: Kol Bardhi, Gjon Pashajët, Gjore Ivret, Stepan Kovaç etj.
Në regjistrimin e vitit 1519, fshati është evidentuar me emrin NSTROVË dhe ka numëruar 36 familje të krishtera.
Në vitin 1583, fshati Nishtrovë, hynë në përbërje të Nahisë së Rekës, në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Numëron; 83 persona, 70 familje të krishtera e 13 beqarë, i kanë paguar timarit 3665 akçe në vit si dhe, ka pasur 3 mullinj që kanë punuar tërë vitin.
Disa nga kryefamiljarët kanë qenë: Miho Dade, Gjoni i biri i Mihos, Petri Boshko, Kolo Pavlo, Gjin Krojçe, Pavle Deno, Gjin Stamati, Petro Stamati, Gjin dane (Dabe), pop Nikolla, Pop Jovani, Gjin Jovko,  Gjin Nikkola, Koço Drenko, Todor petri, Nikolla Bogdani, Velçko Gjin, Hran Gjin, Mile geno, Leko Gjorgji, Gjin Petri, Jefçe Nikolla etj. 
NIÇPUR- Është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës dhe hynë në kuadër të Nahisë së Rekës. Në vitin 1467, është “has” i Karagjoz Beut dhe ka qenë në kuadër të Vilajetit të Rekës. Timarliut i kanë paguar 797 akçe në vit, ka pasur 2 mullinj dhe ka numëruar 9 familje. Sipas këtij regjistrimi banorë të fshatit kanë qenë: gjon Tome, Pop Nikolla, Mino Shahis, Gjon Shirke (Sherke), Kolë Tome, Ceko i biri i Gjergjit, Petko-ja biri i Mihos etj. 
Në regjistrimin e vitit 1536/39, fshati ka numëruar 16 familje e 2 beqarë. Në vitin 1583, fshati Niçpur është në kuadër të Nahisë së rekës në Sanxhakun e Ohrit, ka numëruar 28 persona, 20 familje e 8 beqarë, ka pasur  2 tjerrëtore leshi, 1 mulli si dhe për çdo vit kanë paguar timarliut 1000 akçe. Banorë të fshatit kanë qenë: Gjon Dano, Gjorçe Dano, Gjuro Gjon, Kole Gjurro, Stojko Kosta, Mitre Brajan etj. (Turski dokumenti za Ohridskiot sanxhak)
RIMNICË- Është fshat i krishterë në Nahinë e Rekës dhe shtrihet në verilindje të Dibrës. Në shek. XV-XVI, kanë qenë dy fshatra fqinje, Rimnica e Madhe (Byjuk Ribnica) dhe Ribnica e Vogël (Kuçuk Ribnica).
Në vitin 1467, Rimnica e madhe numëronte 10 familje, në vitin 1536/39, fshati ka të evidentuar 34 familje të krishtera e 3 beqarë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1583, Ribnica e Madhe nuk është e evidentuar. Si duket që ato vite u bashkua me Rimnicën e Vogël.

RIBNICA E VOGËL (Kuçuk Ribnica), është fshat i zhdukur dhe shtrihej në verilindje të Dibrës në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467, është i evidentuar me emrin Ribiçicë dhe ka numëruar 4 familje, me kryefamiljarët: Bojko Tanusheviq, Miho Tanusheviq, Pop Novak etj.
Në regjistrimin e viteve 1536/39, është shënuar me emrin Ribiçica e Vogël dhe ka pasur 42 familje, 4 beqarë si dhe 1 familje muslimane.
Ndërkaq në regjistrimin e vitit 1583, fshati nuk është i evidentuar ose së paku mund të jetë i evidentuar me emër tjetër.

SENCË-Është kryesisht fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës në Nahin e Rekës. Në vitin 1467, në regjistër është shënuar me emrin SENÇI. Ka qenë “has” i Karagjoz Beut, ka numëruar 4 familje, ka pasur 1 mulli dhe i ka paguar spahiut 570 akçe dhe plus 30 akçe taksën e mulliut. Sipas këtij regjistrimi banorë të shfatit kanë qenë: Andrea Çajlani, Pejo Tome, Dabiç Loz, Petko Dimtri etj.
Në vitin 1519, fshati ka të evidentuar 42 familje të krishtera e 1 musliman. Regjistrimi i vitit 1583, për fshatin Sencë është i plotë. Fshati është në kuadër të Nahisë së Rekës në Sanxhakun e Ohrit; i paguajnë spahiut 2230 akçe në vit, ka 2 mullinj (30 akçe tatim) dhe numëron; 42 persona, 3 benakë, 30 familje të pafe 9jo besimtarë), 8 beqarë dhe 1 bashtinë. Banorët e fshatit kanë qenë; Hasan Kolçko (Benak), Ibrahim Jovan (Benak), Petri Pavle, Nikolla Petri, Gjin Janko (Panko), Gjin Dimitri, Nikolla Gjin, Siho Gjon, Pejo Jofko, Nikolla Stojko, Jovan Nikolla, Kalan Boshko, Bogdan Todor etj. si dhe Bashtina e Iskenderit në duart e Nikolla Gjoni-it.

ZHUZHLE-Është fshat i krishterë në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467, fshati është “has” i Karagjoz Beut, në përbërje të Vilajetit të Rekës. Në këtë regjistrim ka 5 familje dhe spahiut i ka paguar 467 akçe si dhe ka 2 mullinj. Banorë të fshatit janë; Gjon Kirkoviq, Gjon Vlash, Kirk Bardh, Leka Dabdas e Pop Meksha.
Në vitin 1519, fshati ka numëruar 14 familje të krishtera dhe shtrihej në Rekën e Madhe (Epërme) pranë fshatit Nishtrovë. 
Në regjistrimin e vitit 1583, fshati Zhuzhle, hynë në përbërje të Nahisë së rekës në sanxhakun e Ohrit, i pagoi timarliut 1000 akçe dhe numëron 28 persona, 1 çift, 20 familje të krishtera, 7 beqarë dhe ka pasur 1 mulli. Banorët e fshatit sipas këtij regjistrimi kanë qenë; Ali Stojan, Ivan Barde (Bazde), Jançe Gjon, Nikolla Gjon, Kojo Jan, Konstantin Janak, Petro Nikolla, Hasan Meritor, Marko Çoço, Kojo Boshko, Jovan Boshko, Gjon Kojo, Gjin Kojo, Stepan kojo, Jovan Pejo etj. 
Sipas burimeve të shkuara, popullsia e Rekës së Epërme deri në vitet ‚60 të shek. XIX, e tëra fliste shqip dhe ishte shqiptare.  Rrugëpërshkruesi dhe etnologu bullgar, Vasil K’noçov, në vitin 1899, thekson se: „Duke rrugëtuar drejt verilindjes në trevën e epërme të rajonit të Rekës, e njohur me emrin Reka e Madhe, popullsia është vetëm shqiptare (Arrnaute). Aty ka 23 fshatra shqiptare, prej të cilëve veëm njëri fshat, Dufi, i takon administrativisht Kazasë së Tetovës. Mq ahumq aë gjysma e banorëve aty janë shqiptarë të krishterë ortodoks (3221 persona) dhe 3738 shqiptarë muslimanë, pra gjithsej 6959 shqiptar. Arnautët (Shqiptarët) thekson V. Kënçovi në Rekën e Madhe janë banorë të vjetër në këtë rajon. Por, shton edhe atë se në mesin e tyre ka edhe bullgarë, të cilët janë asimiluar në shqiptarë. Rekalinjtë e ruajtën për një kohë të gjatë fenë e tyre, sepse mundën që të fshihen në ato rajon. Konverimi i tyre në fenë islame do të përforcohet aty nfa fundi i shek. XVIII, e cila do të vazhdoi edhe në gjysmën e parë të shek. XIX. Koncertimi i fundit i më shumë familjeve u bë rreth vitit 1855, në fshatin Shtirovicë, ku 30 familjet e fundit pranuan fenë islame. Si nga veriu, ashtu edhe nga jugu „rakalinjtë“ takohen me fshatrat bullgar dhe popullsia i flet të dy gjuhët. Banorët e Beliçicës dhe Kiçinjcës flasin mirë bullgarishten, por gjuhën amtare e kanë gjuhën shqipe. Dy gjuhësore është edhe fshati Duf. Popullsia shqiptare e krishterë po shpërngulet nga Reka e Madhe. Veçanërisht është rritur këto 40 vjetët e fundit, duke u vendosur fillimisht në Tetovë e Stamboll, kurse viteve të fundit shkojnë më shumë familje në Bullgari, në qytetete: Samakovë, Dupnishko, e Qystandil.  Në gjysmën e shek. XIX fshati Verbën thotë Kënçovi kishte 100 familje të krishtera shqiptare, kurse tani në fund të shekullit ka vetëm 40 familje“.  në mes të tjerave shton se statistikat osmane për Kazanë e Rekës  shënojnë se kjo kaza numëron 10. 681 meshkuj dhe dyfishi i saj është 21.362 frymë“ .

Në fund të shek. XIX kjo krahinë në pikëpamje gjuhësore u shpërbë. Për me sllavizuar atë ndikoi administrata osmane, e cila aty lëshoi që të hapen shkolla  vetëm në gjuhë serbe, me mësues e psalmë të ardhur e të paguar nga Beogradi, dhe në këtë mënyrë u arrit që një pjesë e popullsisë të nxjerrë nga përdorimi gjuhën e nënës, shqipen. Me mision të veçantë në trevën e Rekës ka qenë edhe gjeografi Jovan Cvijiq, i cili thekson se „Tërë banorët e Rekës së Epërme kanë qenë të krishterë, gjegjësisht ortodoks, në të shumtën e rasteve sllavë dhe diçka vllahe ose arumanë:,  por i zihet fryma të thotë se kanë jetuar edhe shqiptarët.
Atdhetari e diplomati shqiptar Mit’hat Frashëri, në librin „Shqiptarët e sllavët“  faqe 82-84 në mes tjerash do të shkruaj „.... Pikërisht kjo paqe e kjo siguri kanë bërë të mundur që sllavët të zgjerohen në dëm të elementit shqiptar, të ndihmuar nga institucionet e tyre të kishave dhe manastireve, të ndihmuar nga priftërinjtë  e më pas nga mësuesit e shkollave. Organizimi fetar  i sllavëve i ngjashëm me atë që kanë pasur grekët deri në fund të shek.XIX, u ka dhënë atyre shumë shpesh përparësi kundër shqiptarëve.
Shqiptarët ortodoks të detyruar  të frekuentojnë kishat e po ashtu edhe shkollat sllave, serbe ose bullgare, shumë shpesh janë njësuar si të tillë dhe numri i tyre ka shërbyer për të rritur atë të skllavëve. Siç e kemi cilësuar edhe më lartë, ky proces i kundërt me atë që dijetarët sllavë kanë dashur ta quajnë „Shqiptarizimi i serbëve“. Kjo shpjegon pse udhëtarët dhe etnografët kanë parë në veri dhe në lindje të Shqipërisë veç muslimanë e e katolikë, meqenëse ortodoksët  i kanë ngatërruar me sllavët. Vetë sllavët pranojnë të kenë bërë një propagandë ngulmuese përmes shkollave dhe kishave të tyre, me tendencë  për të dhënë një iluzion të gabuar të gjendjes etnografike, në mos , për të ndryshuar asaj karakterin. Ja çfarë lexohet për Dibrën, në gazetën e Sofjes „Jehona“ e Bullgarisë, : „Megjithëse qendër e vetme bullgare e dijes në rajon është manastiri i Zhan Bigorit , ka arritur jo vetëm të mbajë gjuhën dhe shërbimin religjioz bullgar në fshatrat e pastra bullgare ,duke iu dërguar këtyre mësues shkollash, famullitarë, psaltë dhe ikonografë, por  ka arritur edhe të ushtrojë një influencë mbi popullsinë e pastër shqiptare të kësaj krahine, aq sa shqiptarët ortodoks të krahinës së Gorna Rekës (Reka e Epërme) e bëjnë shërbesën fetare, si në të kaluarën ashtu edhe sot, në gjuhën sllavo-bullgare, e madje që prej 40 ose 50 vitesh ata edhe ndërmjet tyre flasin bullgarisht „Pohimi i publicistit bullgar, Jordan Ivanov, thotë Mit’hat F. , i cili pranon se „ në Gostivar popullsia kristiane shqiptare është bullgarizuar në kontakt me bullgarët“ , për ne është , gjithashtu, mjaft kuptimplote. Shtoni shembujt, shumoni rastet e do ta kuptoni si kanë vepruar sllavët , qofshin ato të Ohrit, Manastirit, Prishtinës apo Pejës, të cilët janë prirur të shohin sllavë , kudo që gjendej një ortodoks shqiptar. Por ky është një iluzion i rremë e i paqëndrueshëm, sikur ai  i grekëve të cilëve u dukej „helen“ çdo shqiptar, bullgar, rumun apo serb, mjaft të ishin të besimit ortodoks.
Gazeta „Jehona“  e Bullgarisë , që dilte në Sofje , në një nga numrat e parë të publikuar në vitin 1913, në një studim kushtuar Dibrës, por edhe shqiptarëve të krishterë që kanë filluar të quhen bullgarë,Autori bullgar Jordan Ivanov thotë se : „Në Gostivar popullsia shqiptare e krishterë që jeton pranë minoritetit bullgar, është bullgarizuar“. Ky është një pohim që duhet zbuluar e duhet mbajtur mend, sepse aty mund të gjejmë kyçin e më shumë se një enigme. Në këtë influencë , të krishterët e Tetovës dhe të Pejës janë konsideruar shpesh si sllavë , ku me fjalën influencë kuptojmë kishën, klerin dhe shkollat. E përsërisim, -shton Mit’hat Frashëri , se statistikat serbe ose bullgare nuk shënojnë shqiptarë të tjerë , përveç atyre që praktikojnë fenë muslimane dhe katolike.Pjesa që mbetet , domethënë ortodoksët, janë të konsideruar si serb ose bullgarë“. Në fund M.Frashëri thekson: „...Nuk po përmendim këtu 25 fshatrat e Rekës në Dibër, ku popullsia ,ndonëse ortodokse ,flet vetëm shqip dhe e konsideron veten si të këtillë“.
Këtu po riprodhojmë si dokument, një nga telegramet e shumta që kanë dërguar shqiptarët e këtyre krahinave, në kohën e luftërave ballkanike, në adresë të Shkëqelsisë së Tij, Sër Eduard Grej, sekretar Shteti i Forin Ofisit të Anglisë dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër: „Ne, të nënshkruarit ,shqiptarë me origjinë nga Dibra që banojmë në Rumani, të deleguar prej bashkatdhetarëve tanë në mbledhjen e sotme të 12 Janar 1913,protestojmë energjikisht kundër presionit të ushtruar mbi bashkatdhetarët tanë, të cilët ju kanë shprehur telegrafisht se janë të kënaqur nga administrata sërbe dhe se refuzojnë të bëjnë pjesë në shtetin shqiptarë .
Të njohurit e gjuhës sërbe ne lokalitetet e përmendura katërcipërisht të njohura si shqiptare, nuk provojnë aspak origjinën serbe. Kjo gjuhë është mësuar prej punëtorëve shqiptarë që shkonin në Serbi për ti ushtruar zanatet e tyre. Kritikojmë si të padenja proced

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.