gototopgototop
Aktual:
Sunday, 04 September 2011 16:20   
NATO, ja politikanët dhe aktivistët serbë të përfshirë në krimin e organizuar në veri të Kosovës
Politikë

Krimineli Selb Milan IvanovicNjë dokument konfidencial i forcave të NATO-s sjell fakte interesante dhe të bëra publike për herë të parë në lidhje me biografinë dhe veprimtarinë e mbi 400 personave në Kosovën veriore, kryesisht serbë, të përfshirë në krimin e organizuar. Dokumentet konfidenciale, japin informacione të detajuara për emrat e përshirë në krimin e organizuar në veri të Kosovës, kativitetin e tyre dhe mënyrën se si ato kontrollojnë këtë pjesë të territorit të shtetit më të ri në Evropë. Ndër emrat e përmendur në këto dosje konfidenciale të forcave të NATO-s është ai i Milan Ivanoviçit, i ashtuquajtur lideri i serbëve të veriut, i Aleksandër Antonijeviçit, i njohur me nofkën “Vuçko”, i cili cilësohet si një prej kokave të krimit të organizuar dhe mafisë në veri të Kosovës, i Oliver Ivanoviçit, i njohur si figurë kyçe i serbëve të veriut e një sërë emrash të tjerë. Publikimet e dosjeve konfidenciale të NATO-s morën vëmendjen edhe të vetë medies serbe, ku ditën e fundit kanë qenë rreth 10 media, të cilat e kanë trajtuar këtë çështje, e cila për më shumë se një dekadë, ishte tabu në opinionin e brendshëm serb.

 

Milan Ivanoviç, krimineli që kontrollon veriun

Në dokumentin konfidencial të forcave të NATO-s, për biografinë dhe veprimtarinë e mbi 400 personave në Kosovën veriore, kryesisht serbë flitet për biografinë prej kapobande, të të ashtuquajturit lider i serbëve të veriut, Milan Ivanoviç. “Ai është karakter ksenofobik, që kontrollon të gjitha karburantet në veri, kontrabandën me ilaçe dhe materiale ndërtimore”, - shkruhet në dokumentin konfidencial të NATO-s. Dosja e hartuar menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë e përshkruan Milan Ivanoviçin si një kriminel të vërtetë, i cili ka nën kontroll tërë veriun e Kosovës. “Ai i vjel tarifat prej një mijë markash gjermane (atëherë ishte kjo monedhë në qarkullim) për një kamion që të kalojë nëpër veriun e Kosovës”, - thuhet në dokumentin konfidencial. Ivanoviçi, në materialin konfidencial të NATO-s, krahas postit publik quhet “kryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës Veriore dhe Kryetar i Këshillit Nacional Serb”. Dokumenti përshkruan edhe ngritjen politike të Milan Ivanoviçit, si një person që popullaritetin e tij në Kosovën veriore, te serbët, mundohej ta rrisë përmes intrigave ndaj Oliver Ivanoviçit, duke shprehur mospajtime të plota me veprimet dhe vendimet e atëhershme të të ashtuquajturit Komiteti i Mbrojtjes së Kosovës veriore. Dokumenti flet për strategjinë e ngritjes së Milanit përballë Oliver Ivanvoviçit edhe brenda vetë Këshillit Nacional Serb.

 

Oliver Ivanoviç, kukull dhe kriminel lufte

Ekonomist me profesion dhe karateist me hobi, Oliver Ivanoviç, në dokumentin konfidencial të NATO-s cilësohet, gjithashtu, si një prej figurave kyçe të serbëve të veriut, edhe pse me një popullaritet jo edhe stabil, shkaku i babait të tij ish-aparatçik i komunizmit. Dallueshëm prej Milan Ivanovçit, Oliveri konsiderohet nga “survejuesit” e NATO-s, siç thuhet në dokument, më liberal dhe i një vije më të butë politike. Oliver Ivanovic Kriminel LufteSikur edhe të gjithë serbët e tjerë të veriut, edhe ky e kishte trupin në Kosovë e kokën në Beograd. Por, gjithmonë me tendenca të lidhjes me vijat më liberale në Beograd, konkretisht njihet si i afërt me partinë ish-kryeministrit serb, tani të ndjerë, Zoran Gjingjiç, dhe me qarqet tjera rreth Vuk Drashkoviçit. Në organizatën e veriut, KOS, Oliver Ivanoviçi, sipas dokumentit të NATO-s, ishte vetëm një kukull, sepse shkaku i pafuqishmërisë së tij politike, prapa i rrinin përfaqësuesit ekstremistë serbë të Zubin Potokut. Por, kjo ishte koha e pasluftës. Në dokumentin konfidencial të NATO-s citohen veprime të tjera të Oliver Ivanoviçit, të kryera para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ai, atëherë si anëtar i SPS-së të Millosheviçit, thuhet në dokument, është shquar në fushatën për largimin e shqiptarëve nga puna, në veri të Mitrovicës dhe për diferencimin e tyre nga të gjitha organizatat sportive, në krye të të cilave kishte ardhur me direktiva të pushtetit në Beograd dhe ishte mandatuar me këtë mision. Për një kohë të shkurtër, Oliver Ivanoviçi e kishte spastruar Mitrovicën nga shqiptarët me përgjegjësi, në organizatat punuese dhe në ato sportive, në fillim të viteve ‘90.

 

Memaroviç, krimineli nga “Dolçe Vita” që synonte spastrimin e Mitrovicës nga shqiptarët

Krimineli i kafeterisë “Dolçe Vita” Spasoje Memaroviç – ECHO i ka komanduar “Rojet e Urës”, famëkëqijtë me “Motorola”. Ai ka hartuar planet për destabilizim dhe ka udhëhequr shumë incidente në veri. Synonte spastrimin e Mitrovicës nga shqiptarët. Mban lidhje të mira me Milan Ivanoviçin, Marko Jakshiçin etj.

Krimineli i kafeterisë “Dolce Vita” Spasoje MemarovicSpasoje Memaroviç (1950) ka lindur në Pejë dhe si profesion aktual ai ka tregtinë, ndërsa njihet si ushtarak i vjetër i Armatës Jugosllave. Në dokument ai përshkruhet si karakter i dhunshëm dhe një prej pjesëtarëve të bandave problematike të Mitrovicës veriore, me “bazë” në kafeterinë famëkeqe “Dolçe Vita”, aty ku u hartuan dhe nisën të gjitha trazirat në Mitrovicën veriore, prej qershorit të vitit 1999. Spasoje Memaroviç, me pseudonimin ECHO, ishte gjithashtu një prej frymëzuesve dhe udhëheqësve të famëkëqijve “Rojat e Urës” së Ibrit, të njohur, për NATO-n, si problematikët me “Motorola”. Ai ishte pjesë e armatës së rregullt jugosllave në luftën e Kosovës dhe nuk u kursye nga krimet mbi shqiptarët. “Këtë e ka thënë me krenari edhe në qershor të vitit 1999”, - thuhet në dokumentin e NATO-s. Sipas dokumentit konfidencial, ai ka pasur lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me politikanë dhe liderë serbë në veri të Kosovës. Prapa tij, në vazhdimësi kanë qëndruar Milan Ivanoviçi, Marko Jakshiçi e të tjerë.

 

Jakshiç, doktori i krimit në Mitrovicë

Marko Jakshiçi është një tjetër figurë e njohur e veriut të Kosovës, i përshkruar si kriminel dhe lider politik i serbëve në veri të Kosovës, në dokumentin konfidencial të NATO-s. Mjek ortoped, me profesion, Marko Jakshiçi jeton në një banesë të uzurpuar, të shqiptarit, në veri të Mitrovicës, e punon në spitalin në veri këtij qyteti. Politikisht është anëtar i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS). Jakshiçi përshkruhet si një person jashtëzakonisht armiqësor dhe tejet i ashpër për të gjithë ata që ndërhyjnë në KOS. Megjithatë, sipas dokumentit, ai gëzon një popullaritet të kufizuar në mesin e serbëve të veriut. “Si tip krimineli ai nuk i vlerëson shumë ushtarët me uniformë, por i preferon më tepër paramilitarët, vandalët dhe shkelësit e ligjit dhe të rendit”, - thuhet në dokumentin konfidencial të NATO-s. Marko Jakshiq është një tjetër figurë e njohur e veriut Menjëherë pas luftës së Kosovës, në pjesën e dytë të vitit 1999 Marko Jakshiçi ka qenë shumë i ashpër. Ai ka refuzuar në mënyrën më brutale dhe të pakompromis kthimin e mjekëve dhe të pacientëve shqiptarë në spitalin në veri të Mitrovicës dhe e ka luftuar me të gjitha mjetet kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, me synimin për t’i menaxhuar vetë ndihmat humanitare për serbët e asaj pjese. Gjithnjë me idenë e përfitimit personal, evidenton NATO-ja në dokument. Në mars të vitit 2000, Jakshiçi ka organizuar serbët e veriut kundër KFOR-it, UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, duke u thënë se ata po duan t’i kthejnë shqiptarët në veri të Mitrovicës, kurse sipas tij, “nuk po bëjnë asgjë për kthimin e serbëve në Pejë, Prishtinë, Ferizaj etj.”. Ai ka kërkuar që të kundërshtohet rreptë dhe me të gjitha format ky plan. Marko Jakshiçi, sipas dokumentit, ka ushqyer nacionalizmin e shfrenuar serb në veri dhe ka qenë pjesë e rrjetit të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, duke synuar përherë bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë. Ai, thuhet në dokumentin konfidencial të NATO-s, të gjitha veprimet e tij i ka bërë në koordinim të plotë me politikanët në Beograd dhe me strukturat tjera të kapobandave serbe në veri të Kosovës. Serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiçi u kishte thënë në vazhdimësi se ka refuzuar poste të larta ministrore në Beograd për të qenë, sipas tij, aktiv në kauzën e serbëve të Kosovës.

 

Janiçijeviç, koordinator i MUP-it serb në Kosovë

Vuçina Janiçijeviç, koordinator i MUP-it Vuçina Janiçijeviç, banues në Kralevë të Serbisë, sipas dokumentit konfidencial të NATO-s, është përgjegjës direkt për organizimin e strukturave të policisë serbe (MUP) në Kosovë. Ai mban lidhje të mira me shumë politikanë serbë të veriut, si dhe ka një bashkëpunim të mirë në veri të Mitrovicës me Dragoljub Delibashiçin – Kapiten Draganin. “Zakonisht, nga Kraleva zbret shpesh në Zveçan, për t’i koordinuar punët dhe aktivitetet e MUP-it serb”, - theksohet në dokumentin konfidencial. Po ashtu, dokumenti bën të ditur se përmes një sistemi mirëfunksional të radiolidhjeve, të ndërtuar në mes të Kralevës dhe Zveçanit, Vuçina Janiçijeviçi ka bërë një organizim të rregullt të komunikimit dhe funksionimit të strukturave në MUP-it serb në Kosovë. Dokumenti më tej saktëson se sistemi i komunikimit të “Rojave të Urës” në Mitrovicë, ishte i njëjti me atë të MUP-it serb dhe për këtë përkujdesej Vuçina Janiçijeviçi. Si pasojë e këtij fakti, “Rojat e Urës” nuk veprojnë në izolim, por brenda një strukture mirë të organizuar. “Në fund të gushtit të vitit 2001, derisa Vuçina trajtohej me kancer në Beograd, organizimin e incidenteve te Tre Rrokaqiejt, në veri të Mitrovicës do ta organizojë xhaxhai i tij, Mitro Janiçijeviçi”, - shprehet NATO në dokumentin e saj.

 

Mandiç, shpërndarësi i drogës me lidhje me politikanët serbë të veriutIvan Mandic

Në dokumentin voluminoz konfidencial të NATO-s, një ndër protagonistët e kapobandave që e mbajtën të trazuar veriun e Kosovës, cilësohet edhe Ivan Mandiçi. Është interesante se në dokument, ai përmendet me profesion paramilitar, ndërsa dallohet si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës, që mban lidhje të mira me politikanët serbë të veriut të Kosovës. “Ivani e ka ndarë një apartament me babain e tij, Zlavko Mandiç, ndërsa një dhomë e ka pasur përherë në dispozicion të eprorit të lartë të MUP-it të Serbisë në Kosovë, Dragoljub Delibashic – Kapiten Dragani”, nënvizohet në dokument. Ivan Mandiçi konsiderohet si shpërndarës i madh i drogës, së bashku me Vania Matfienkon, ku shtohet se ai qenë një ndër abuzuesit dhe kriminelët më të mëdhenj të luftës në Kosovë, pasi që ishte pjesë e strukturave paramilitare të Beogradit.

 

Ristiç, “nacionalisti i moderuar” që ftoi serbët në një luftë të re

Slavisa Ristic Krytar i Komunes Zubin PotokDokumenti konfidencial i NATO-s flet në faqet e tij edhe për “nacionalistin e moderuar”, Sllavisha Ristiç. Ai, ndonëse më bashkëpunues me ndërkombëtarët, megjithatë nuk kishte hezituar në vitin 2001, që t’i ftojë serbët e Kosovës në një luftë të re. Sllavisha Ristiçi (1960) është përfaqësues i Partisë Demokratike të Serbisë dhe i ashtuquajtur kryetar i Komunës së Zubin Potokut, njëherit përfaqësues i Këshillit Nacional Serb në këtë komunë. Me profesion ekonomist, në pranverën e vitit 2001 ai u emërua kryetar i Nënkomitetit për Kthimin e Refugjatëve Serbë në Kosovë. Dokumenti i NATO-s e pasqyron atë si një militant të “kauzës serbe”, por me “tone më të moderuara”. Ristiçi, pas luftës në Kosovë kishte kërkuar me ngulm nga bashkësia ndërkombëtare, siç kishte thënë ai, “kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë, ashtu siç i kanë kthyer edhe shqiptarët”. Ristiçi përshkruhet në dokument si person që vazhdimisht tenton t’i ikë temës qendrore, gjatë bisedave. Ai ka një papajtueshmëri të plotë me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë dhe i akuzon ata se nuk e kanë zgjidhur drejtë çështjen e Millosheviçit. “Megjithatë, politikisht Sllavisha Ristiçi është në kundërshtim të vazhdueshëm me përfaqësuesin e SPS-it në Zubin Potok, Zoran Vuloviç”, - thuhet në dokumentin konfidencial të NATO-s

 

Aleksandër Antonijeviç, i njohur me nofkën “Vuçko”, kokë e krimit të organizuarAnëtar i të ashtuquajturit Komiteti për Kosovë e Metohi, “Vuçko”

Aleksandër Antonijeviç, i njohur me nofkën “Vuçko”, konsiderohet në dokumentin konfidencial të NATO-s si një ndër kokat e krimit të organizuar dhe mafisë në veri të Kosovës. Me prejardhje nga Leposaviçi, “Vuçko”, me post nënkryetar i kësaj komune dhe me profesion mjek, udhëheqë repartin e Transfuzionit të Gjakut në spitalin në veri të Mitrovicë. “Antonijeviçi është një kontrollues i mirë i rrjetit mafioz në veri të Mitrovicës dhe një prej krerëve të kontrabandës dhe të krimit të organizuar, i cili edhe ndihmat humanitare, të ndara për serbët e veriut, i ka abuzuar, duke i transferuar në mallra tjera dhe për shitje, duke e shfrytëzuar doganën e Rashkës”, - theksohet në dokumentin e NATO-s. Ai e ka mbështetur në vazhdimësi grupin mafioz serb të Sllobodan Simonoviçit. Dokumenti nënvizon se “Vuçko”, anëtar i të ashtuquajturit Komiteti për Kosovë e Metohi, konsiderohet si një prej personave më me ndikim në Këshillin Nacional Serb. Ndërsa në rrafshin politik, anëtar i DSS-së së Koshtunicës, qëndron nën hije të politikës në veri. Aleksandër Antonijeviç, thuhet në dokument, është i njohur me krimet e bëra gjatë luftës në Bosnjë. Atje ai e mbante nofkën “Transfuzia”, sepse i kishte mbytur civilët joserbë me tortura të thithjes së gjakut deri në vdekje. Sipas dokumentit, konsiderohet se të njëjta krime i ka kryer edhe gjatë luftës në Kosovë.

 

Mafia i Leposaviçit, aleat me Oliverin

Sllobodan SimovicSllobodan Simonoviç (1974), nga Leposaviçi, në dokumentin konfidencial të NATO-s përshkruhet si një prej personave të njohur për veprimtari mafioze dhe lidhje të ngushtë me politikanët serbë në veri të Kosovës dhe udhëheqësit e MUP-it serb. Para luftës në Kosovë ai ishte kërkuar dhe më pas ishte burgosur me dhjetë vjet, për shkak të trafikimit të parave të falsifikuara dhe të armëve. Por, ai ishte liruar më pas, nga Vuçina Janiçijeviçi, kreu i MUP-it serb në Mitrovicë. Në bazë të dokumentit konfidencial të NATO-s, Janiçijeviçi njihet si një prej përfaqësuesve të MUP-it të Serbisë në veri të Kosovës dhe pas luftës edhe si një prej krerëve të krimit të organizuar dhe mafias, në atë pjesë të Kosovës, me lidhje të mira bashkëpunimi me politikanë serbë të veriut. Pas arrestimit dhe burgosjes në Serbi, dënimit me dhjetë vjet burg, ai ishte liruar, me ndihmën e Vuçina Janiçijeviçit dhe të gjykatësit në Gjykatën e Kralevës, Mirosllav Ivanoviç, që është njëkohësisht edhe vëlla i njërit prej përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviç. “Ai e kishte dënuar fillimisht, Sllobodan Simonoviçin me gjashtë muaj burg me kusht, duke ia lehtësuar dënimin paraprak, i ndihmuar dhe i mbështetur edhe nga kreu i sigurimit të Serbisë në Mitrovicë, Vuçina Janiçijevic”, - pohohet në dokumentin konfidencial. Sllobodan Simonoviçi është udhëheqës i një bande 12-anëtarëshe në veri të Kosovës, me bazë në Leposaviç, me të cilën ai kryen aktivitet të rregullt mafioz. Ndërsa lidhjet e tij me sigurimin serb, sipas dokumentit, ai i ka vendosur qysh në kohën e Millosheviçit, për t’i thelluar më pas edhe pas ardhjes së Vojisllav Koshtunicës në pushtet.

Dokumenti konfidencial i NATO-s e përshkruan Sllobodan Simonoviçin, në aspektin personal, të divorcuar me gruan e tij, 22-vjeçare, që punon si infermiere në spitalin në veri të Mitrovicës, ndërsa nga ana politike ai pasqyrohet si mbështetës radikal i Oliver Ivanoviçit. Sipas dokumentit, lidhja e tij me Ivanoviçin bazohet mbi shantazhe dhe presione ndaj njëri-tjetrit, në mbulim dhe fshehje të së kaluarës kriminale dhe përfshirjes së tyre në shumë skandale të pabublikuara kriminale. “Për ta mbajtur fshehtë këtë, ata e kanë përkrahur njëri-tjetrin”, - deklarohet në dokument.

 

Spajeviç, paramilitari famëkeq nga “Dolçe Vita”Dragan Spajeviq (1970), i njohur me nofkën “SAPK”

Një ndër kriminelët e kafenesë – bazë të krimit, “Dolçe Vita”, në veri të Mitrovicës, është Dragan Spajeviçi (1970), i njohur me nofkën “SAPK”. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me Milan Ivanoviçin. Veprimtaria e tij prej paraushtaraku të Millosheviçit, në Kosovën (veriore) e pasluftës ka të bëjë me implikime të shumta në krim të organizuar dhe kontrabandë, në njërën anë dhe me angazhime në Këshillin Nacional Serb, në anën tjetër. Dokumenti konfidencial i NATO-s thekson se Dragan Spajeviçi është një ish-paramilitar famëkeq i forcave të Millosheviçit, gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht ai është vëlla i një pjesëtari po ashtu famëkeq të njësive speciale të MUP-it serb. Që të dy, sipas dokumentit, edhe pas vitit 1999 vazhduan të vepronin në Kosovën veriore. Spajeviçi ka në biografinë e tij shumë vepra të dhunës kundër shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe shumë prej tyre janë të evidentuara. Ai ka synuar spastrimin etnik të veriut dhe pengesën e shtrirjes së autoritetit të shtetit të Kosovës në atë pjesë të vendit, ndërsa pas veprimeve të tij kanë qëndruar gjithmonë, thuhet në dokument, politikanë të shumtë serbë të veriut dhe udhëheqës të të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb.

 

Dosja konfidenciale e NATO-s merr vëmendjen e medies serbe

Pas publikimit të vazhdueshëm të dosjeve konfidenciale të NATO-s rreth krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe protagonistëve të tij, kryesisht politikanë e aktivistë serbë të asaj pjese, mediet në Serbi i kanë dhënë hapësirë dhe e kanë trajtuar temën që për më shumë se një dekadë ishte tabu në opinionin e brendshëm serb. Opinioni serb, që nga paslufta në Kosovë ka qenë vazhdimisht dhe pandërprerë i shërbyer me dosje dhe dokumente të tjera konfidenciale, bashkë me shumë media ndërkombëtare, të cilat kanë publikuar raporte, dosje dhe dokumente të UNMIK-ut, NATO-s etj., por që kryesisht kanë rezultuar se burimin e kanë pasur pikërisht në Beograd, te UDB, BIA dhe shërbime të tjera sekrete serbe, të cilat kanë qenë aktivisht të përfshira në ngjarjet e dhunshme dhe kriminale para, gjatë dhe pasluftës së Kosovës. Së fundmi, dihet botërisht se BIA kishte tentuar të blinte deklarata të rrejshme nga shqiptarë të ndryshëm në Kosovë e më gjerë, kinse për të ashtuquajturën “tregti me organe”. Kjo dosje ishte publikuar në RTK, me video dhe pamje ekskluzive të incizimeve dhe përgjimeve të bëra nga policia e Kosovës dhe shërbimi i tyre. Serbët synonin falsifikimin e apo sajimin e një të vërtete sipas tyre, ndërkohë që NATO ka ofruar fakte për krimin e organizuar në veri, para, gjatë dhe pas luftës. Një mori mediesh serbe, duke filluar nga Radiotelevizioni Shtetëror i Serbisë, RTS, pastaj gazetat “Danas”, “Vesti”, “Standard”, “Kurir”, “Naslovi”, “Blic”, “Beta” dhe “B92”, e kanë trajtuar gjerësisht këtë temë, përkundër apelit që kishte ardhur nga partia e Vojisllav Koshtunicës, që kjo dosje të mos bëhet temë, së paku në opinionin dhe mediet e Serbisë, as në Kosovë as në Serbi. Pas protagonistit Marko Jakshiç, një politikan tjetër serb i veriut të Kosovës ka reaguar ndaj dosjeve konfidenciale të NATO-s. Në një storie të posaçme të B92, Milan Ivanoviçi është përpjekur t’i hedhë poshtë argumentet e dosjes konfidenciale të NATO-s, në të cilën ai përmendet si një prej karaktereve ksenofobike, me rol dhe ndikim të fuqishëm në veri të Kosovës, pas vitit 1999, dhe si kontrollues i kontrabandës dhe krimit të organizuar, përmes strukturave të tij të jashtëligjshme.

 

Nga, Standard

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.