gototopgototop
Aktual:
Tuesday, 27 September 2011 12:53   
Një historik i shkurtër i Kinostudios "Shqipëria e Re"
Letërsi

Yjet e netëve të gjataEshtë e dielë. Ndoshta është e diela e parë që shkoj në Kinostudio, (se rrallë kujt i pëlqen t'i thotë ish-Kinostudio). Gjatë javës, ndërsa nisem për në punë në televizionin ku punoj, i vendosur edhe ai, si shumë të tjerë në Kinostudio, nuk kam kohë për të menduar, përveç punës, por sot (e diel) çelet "Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut", ndaj jam edhe sot këtu. Akademia "Marubi" është e vetmja që e lidh sot këtë vend me filmin. Shpesh herë jam bërë kurioze, ku gjenden sot vendet ku janë xhiruar filmat shqiptarë dhe gjatë punës si gazetare, ku kam lëvizur jo pak nëpër Shqipëri, e kam kërkuar përroin e "Zonjës nga qyteti", shtëpitë e "Dimrit të fundit", shtëpinë e "Çiftit të lumtur" etj etj. Ndonjëherë, me kuriozitetin e një fëmije të mesit të viteve '80, e cila donte të hynte në ekranin bardh e zi të televizorit "Lura", për të rrëmbyer kapelet e zonjave në "Koncert në vitin '36" apo gjetkë, sot 25 vjet më vonë, edhe pse jo me kureshtjen naive të një fëmije, përsëri kam kuriozitet se ku përfunduan rekuizita apo garderoba e filmave shqiptarë. Filmat, me PPSH-në apo Enver, me partizanë apo ballistë, me romanca apo drama, të gjithë jemi dëshmitarë që gozhdojnë ende njerëz përpara ekranit, edhe pse kanë parë me mijëra herë të njëjtën gjë. Dikush për nostalgji të së shkuarës, ku kinemaja dhe më masivisht televizori, ishte një ndër të paktat mjete informimi, edukimi e argëtimi, dikush, ata më të rinjtë, me kuriozitetin se si ishte Shqipëria më parë, si ishin rrugët, shtëpitë,, mobilimi i tyre, veshja e njerëzve…por edhe vetë historia, e bëjnë ende sot filmin shqiptar, të kërkuar të ndjekur. Duke nisur që sot, në fokus të Gazetës, do të jenë vendet ku u xhiruan me qindra filma, por edhe protagonistët, të cilët i dhanë jetë fjalës së shkruar në letër, duke e shndërruar në mijëra imazhet që i kujtojmë me aq nostalgji edhe sot.

Kinostudioja "Shqipëria e Re", është mëma e krijimtarisë kinematografike në Shqipëri, ku përfshihet jo vetëm arti i krijimit dhe prodhimit të filmit, por një industri e tërë, ku ishin të punësuar mbi 800 persona. Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-1912. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës I Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat.
Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Evropës apo SHBA, si dhe nga amatorë. Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet '40-'50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, Franca e Italia.
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios "Shqipëria e Re" (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovjetik Luftëtari i madh i Shqipërisë - Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës). Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë Fëmijët e saj, film i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani), dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet '60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet '70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u shënua një rritje të ndjeshme të prodhimit, nga 5-6 filma artistikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet '80. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regj. Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim Beni ecën vetë, 1975); kinokomedia e parë Kapedani (1972, regj.F. Hoshafi e M. Fejzo); u bënë filma historikë e muzikorë; po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të tjerëve bënë filma një brez i ri regjisorësh, R. Ljarja, S. Kumbaro, I. Muçaj, K. Mitro, E. Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë edhe TV Shqiptar ( Udha e shkronjave, 1978, regj. V. Prifti).
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet '80 filmi artistik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si "Ballë për ballë" (1979, regj.K. Çashku e P. Milkani), "Dora e ngrohtë" (1983, regj.K. Çashku), "Agimet e stinës së madhe" (1981, regj.A. Minga), "Kohë e largët" (1983, regj.S. Pecani), "Tela për violinë" (1987, regj.B. Kapexhiu), etj. Në vitet '70-'80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit, dhe pati tipare të thella propagandistike, po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin "Zana dhe Miri" (1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në vit. Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike.

 

Nga: Kozeta Kurti

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.