gototopgototop
Aktual:
Wednesday, 19 October 2011 23:28   
Berisha 10 vjet pa shkelur në Tropojë pas sherrit me Haklajt
Dossier

Azem Hajdari i VrareDrejtuesit e lartë të shtetit u informuan në rrugë operative se “Vrasjen e Shekullit” e kishte kryer Fatmir Haklaj, por ata nuk ndërmorën asnjë hap për ta arrestuar. Për ta, ai ndodhej shumë larg Tiranës, atje në kullën e tij të fortifikuar rrëzë Shkëlzenit. Të dërgoje policinë për ta arrestuar në Tropojë, pikërisht aty ku ai ishte njeriu më i fuqishëm dukej një aventurë që askush nuk guxonte ta merrte përsipër. Për momentin Fatmir Haklaj dukej më i fortë se shteti, që qeverisej nga e majta. Në fund të fundit ai e kishte kthyer Tropojën në një tokë të djegur për kundërshtarin e tyre kryesorë, liderin e opozitës Sali Berisha, që kishte më shumë se një vit e gjysëm që nuk shkelte më në vendlindjen e tij për arsye sigurie. Madje qysh nga ajo kohë ai nuk e ka vizituar më Tropojën, edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vjetë nga incidenti me Haklajt më 22 qershor 1997. Pas çdo ngjarje rëndë në Tropojë lideri i opozitës fajësonte Haklajt dhe njerëzit e tyre. Ndërsa për Haklajt, pas çdo familjari apo të afërmi të vrarë, qëndronin njerëzit e Berishës. Më guximtari, deputeti i Tropojës Azem Hajdari, në të vetmen tentativë që bëri për të shkuar në Bajram Curri pas qershorit 1997, i shpëtoi për fat vdekjes. Por ky fat e braktisi tre muaj më vonë, kur u vra para selisë së PD-së. Përjashtim nuk bënin as politikanët apo shtetarët e lartë të së majtës, që përpara se të shkelnin në Tropojë, merrnin garanci nga Haklaj, se nuk do tu ndodhte asgjë. Por, kjo situatë nuk zgjati shumë. Shefat socialistë në Tiranë do tia punonin më keq se kundërshtarët e tij, që e akuzonin përditë nga mëngjesi deri në mbrëmje për atë që po bënte në Tropojë.
14 shtatori
Jo më pak i informuar për vrasësit e vërtetë të Hajdarit, ishte dhe shefi i opozitës, Berisha. Por, ai e shfrytëzoi politikisht ngjarjen për të asgjesuar kundërshtarët e tij socialistë. Funerali i Hajdarit ku merrnin pjesë dhjetëra mijëra vetë nga e gjithë Shqipëria, u kthye në një revoltë popullore, pas së cilës një mëndje e etur për pushtet, kishte ideuar një grusht shteti të armatosur. Arkivoli i Hajdarit u çua përpara kryeministrisë, dhe më të në duar turma e irrituar pushtoi dhe dogji brenda pak minutash të gjitha institucionet më të rëndësishme të shtetit. Qeveria socialiste ishte krejtësisht jashtë funksionit. Ndërsa kryeministri Nano, për të shpëtuar kokën e kaloi kufirin shtetëror drejt Maqedonisë, përpara se arkivolin e Azemit tia sillnin te zyra e tij. Tanket e Gardës së Republikës që u nxorrën për të trembur militantët e armatosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u morën pa as më të voglën rezistencë, sikur të ishin pajtona me kuaj. E paisur dhe me tanket e Gardës, komando e armatosur që sulmoi kryeministrinë, tashmë ishte kthyer në zot të kryeqytetit. Ministri i Brendshëm Teta, i vetmi funksionar i lartë pas presidentit Meidani që nuk u largua nga vendi i punës, e kishte humbur kontrollin mbi policinë dhe vetëm vështronte nga dritarja e zyrës së tij ç’po ndodhte në bulevardin kryesor të Tiranës.
Grushti
Marrja e godinës së Radio-Televizionit Shtetëror nga njerëz të armatosur dhe shfaqja në ekranin e tij e disa eksponentëve të opozitës që deklaronin se qeveria Nano ishte përmbysur, e kompletoi kuadrin e një grushti shteti. Kamerat e disa televizioneve private që e transmetonin drejtpërdrejt atë që po ndodhte, fiksuan në objektivin e tyre kush ishin organizatorët që orientonin personat e armatosur të qëllonin mbi kryeministrinë dhe Kuvendin. Pjesa më e madhe e tyre ishin eksponentë të njohur për publikun, si ish-truproja apo mbështetës të flaktë të liderit të opozitës. Një tjetër detaj jo i parëndësishëm, ishte fakti se mes turmës u panë dhe persona me uniforma të UÇK-së. Pas ngjarjes u identifikuan se ishin rekrutë të njësive ushtarake të FARK-ut, (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) që financoheshin nga kryeministri i qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi, një aleat i deklaruar i Berishës. Pavarsisht asaj që ndodhi në rrugë, asgjë nuk e justifikon shkërmoqjen në atë farë feje të institucioneve më të rëndësishme të shtetit që u zbythën për të shpëtuar kokën sapo dëgjuan krismat e para të armëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kthesa


Në momentet që militantët e opozitës po festonin përmbysjen e qeverisë Nano, u desh ndërhyrja diplomatike e pothuaj të gjitha shteteve perëndimore që kishin ambasada në Tiranë, për të rikthyer normalitetin. Mjaftoi një urdhër verbal që militantët e armatosur të opozitës të lëshonin institucionet e pushtuara dhe të largoheshin si me sustë nga rrugët e Tiranës. Çuditërisht në krye të njerëzve të armatosur që sulmuan kryeministrinë dhe parlamentin më 14 shtator, qëndronte truproja i ish-presidentit Berisha, Izet Haxhia. Pikërisht ky fakt shtoi më shumë dyshimet se ai mund të ishte implikuar në vrasjen e deputetit Hajdari. Por pavarsisht faktit se ka marrë një dënim të rëndë nga Gjykata, Izet Haxhia nuk ka dëshmuar kurrë për të vërtetën që e di vetëm ai. Pas gjithë asaj që ndodhi Fatmir Haklaj i kishte kaluar të gjitha caqet. Tashmë ai nuk ishte thjeshtë një rrezik vetëm për rendin dhe sigurinë, diku atje larg në alpet e Shqipërisë. Fatmir Haklaj dhe njerëzit e tij, shiheshin si një kërcënim serioz për sigurinë e gjithë vendit. Qysh nga ky çast nisi
rënia e pashmangshme e njeriut më të fuqishëm në Tropojë. Kundër tij nuk ishin vetëm familjet e viktimave në Bajram Curri apo lideri i opozitës në Tiranë. Kupa ishte mbushur dhe tani kundër Haklajt u kthyen dhe përfaqësuesit e lartë të së majtës, sëbashku me strukturat shtetërore që drejtoheshin prej tyre. Fatmir Haklaj ishte bërë një barrë e rëndë që askush nuk donte ta mbante mbi shpinë. Për këtë shkak u pa e udhës që më mirë ta hiqnin qafe, qoftë dhe me duart e të tjerëve, sesa ta nxirrnin përpara drejtësisë ku nuk dihej sesi mund të shkonte hesapi.
Qeveria
Vrasja e Azem Hajdarit dhe ngjarjet e 13-14 shtatorit e detyruan kryeministrin Nano që pak ditë më vonë të jepte dorëheqjen. Ndërsa në anën tjetër të llogores, lideri i opozitës Berisha e kishte kthyer Azem Hajdarin në kalin e betejës për të ngritur në këmbë dhe grumbulluar rreth vetes gjithë mbështetësit e tij. Tentativa për ta përmbysur qeverinë e kualicionit të majtë me dhunë, dështoi. Jo për zotësi të institucioneve shtetërore, që u shkërrmoqën si kala mbi rërë brenda 30 minutash, por sepse perëndimi nuk e përkrahu këtë lloj rrotacioni politik, përkundrazi e dënoi ashpërsisht. Ndërsa të majtët po ndanin serish mes tyre tortën e pushtetit të mbetur pas largimit të Nanos, në Veri të vendit, Fatmir Haklaj, nuk kishte kohë për të humbur. Pas vrasjes së Azemit Hajdarit, figurës më popullore të opozitës, mu në zemër të kryeqytetit, Haklaj nuk i trëmbej më askujt. Mjafton të drejtonte gishtin mbi dikë që mendonte se punonte për kundërshtarët e tij, dhe objektivi ishte nisur për në botën tjetër.
Banka
Pa u mbushur ende dy muaj nga “Vrasja e Shekullit” një tjetër ngjarje tronditi Tropojën dhe la pa mend Tiranën. Mesnatën e 29 tetorit 1998, një grup i madh personash të armatosur, grabitën për herë të dytë brenda 10 muajëve, Bankën e Kursimeve në Tropojë. Por këtë radhë grabitja ishte më spektakolare dhe shuma e përfituar më e majme. Pas grabitjes së janarit, Banka e Kursimeve kishte ndërtuar një ambjent të ri, këtë radhë më të betonuar dhe shumë më të sigurtë se herën e parë. Sëpaku kasaforta e re e Bankës së Kursimeve në Bajram Curri ishte nga më të sigurtat në vend. Por, grabitësit që rezultojnë të jenë e njëjta dorë si në rastin e parë, e kishin marrë parasysh këtë fakt. Nëse përdornin eksploziv për të hapur kasafortën, duhej një sasi aq e madhe sa rrezikonte të rrafshonte përtokë jo vetëm godinën katërkatëshe ku ishte vendosur banka, por dhe pallatet pesëkatëshe rreth saj. Për ti bërë derman sigurisë së kasafortës, grabitësit kishin mendur një plan origjinal. Ata morën në mes të natës me forcën e armëve, drejtuesin e një vinçi të tonazhit të rëndë, i vetmi i atij lloji që ndodhej në rrethin e Tropojës.
Shpërblimi
Vinçieri e shpërtheu murin anësor të bankës dhe më pas e shkuli nga vendi kasafortën e blinduar duke e ngarkuar në karrocerinë e një kamioni. Nga ky moment superkasaforta e Bankës së Kursimeve nuk ishte më e blinduar. Ajo ishte thjeshtë një arkë metalike me plotë 620 milionë lekë brenda saj. Kasaforta u transportua në një vend larg qytetit, ku një mjeshtër saldator punoi i pashqetësuar për ta nxjerrë jashtë funksionit. Komisariati i Bajram Currit, që këtë radhë e kishte godinën e Bankës dhe nja 50 metra më afër, se herën e patë, as që e mori mundimin ti hynte telasheve me grabitësit. Një ditë më pas lideri i opozitës Sali Berisha, e akuzoi drejtpërdrejt qeverinë socialiste, se jo vetëm ishte e implikuar në këtë ngjarje të turpshme, por në këtë formë kishte shpërblyer me një shumë të majme vrasësit e Azem Hajdarit. Në objektivin e akuzave të shefit të PD-së, ishte i njëjti personazh, Fatmir Haklaj dhe njerëzit e tij. Edhe pse kanë kaluar 9 vjet nga kjo ngjarje e rëndë që diskreditoi shtetin shqiptar, autorët e grabitjes nuk u vunë kurrë para drejtësisë.
Marrëveshja
Në fundin e dhjetorit 1998, tre ditë përpara ndërrimit të viteve, Fatmir Haklaj bën një tjetër veprim të papritur. Banorët e Tropojës kishin afro tre muaj që nuk kishin marrë rrogat dhe pensionet qysh nga momenti kur u grabit për herë të dytë Banka e Kursimeve në Bajram Curri. Për të transportuar ngarkesën e radhës drejt Tropojës u caktuan forcat speciale të RENEA-s. Pavarsisht se ishin njësia më e mirë e policisë shqiptare, as specialët e RENEA-s s’kishin garanci se nuk goditeshin gjatë udhëtimit me një vlerë parash prej më shumë se 800 milionë lekësh të vjetra. Për ti paraprirë çdo të papriture, trupat speciale dërguan në Tropojë dy ditë përpara se të çonin paratë, dy pjestarë të repartit që ishin nga e njëjta zonë. Ata biseduan me Haklajn dhe njerëzit e tij dhe kërkuan të mos kishin telashe. Specialët nga ana e tyre i garantuan njerëzit e Fatmirit, se nuk kishin punë me ta, pavarsisht faktit se mund të ishin ose jo persona në kërkim. Si shkëmbim kërkonin të mos hasnin asnjë pengesë gjatë përmbushjes së misionit të tyre. Duke qenë se rrugët tokësore ishin të pasigurta, u zgjodh që transporti i parave të bëhej me helikopter.
Paratë
Më 28 dhjetor 1998 një helikopter i forcave speciale u nis drejt Tropojës. Moti i keq dhe era e fortë e detyroi helikopterin të ulej në një zonë të vështirë. Të bllokuar në borë, forcave speciale u erdhi në ndihmë Fatmir Haklaj dhe disa persona që qëndronin me të. Pas disa orësh thasët me 800 milionë lekë u depozituan në objektin e rikonstruktuar të Bankës së Kursimeve në Bajram Curri. Këtë radhë askush nuk guxoi të prekte rrogat dhe pensionet e tropojanëve, ndërkohë që ngjarja u publikua në media duke bërë jehonë të madhe. Disa javë më vonë në prag të luftës së Kosovës, gazetari italian i Korriere dela Sera, Xhuzepe D’Avanzo raportonte nga Bajram Curri se “Fatmir Haklaj ishte Robin Hud dhe në të njëjtën kohë Sherifi i Shervudit. Ai si Sherifi i Shervudit gjatë ditës, sillte në Tropojë rrogat e shtetit, dhe në darkë, i shndërruar në Robin Hud, grabiste bankën”. Pavarsisht akuzave të shumta nga opozita apo përshkrimeve prej gangësteri që i bënin gazetarët e huaj, organet e drejtësisë nuk e akuzuan asnjëherë zyrtarisht, e ca më pak të provonin se Fatmir Haklaj ishte implikuar në dy grabitjet e Bankës së Kursimeve, që në total kapnin një vlerë prej 1 miliardë e 100 milionë lekësh të vjetra.


(Vijon nesër)

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.