gototopgototop
Aktual:
Friday, 03 February 2012 09:23   
100 Vjetori i shpalljes së Pavarsisë
Politikë

Isa Boleti në Vlore 191228 Nëntori 1912 ishte një fat i pavarësisë së Shqipërisë, por 1913 ishte viti i mbrapshtë tragjik i copëtimit më të bujshëm e më të paturpshëm, pse jo më i rëndi që ka ndodhur në histori për vendin më të lashtë evropian, pellazgo-iliro-shqiptar, siç dëshmon historia e kohërave të vjetra e moderne. Vitet 1912-1915 shkuan nën pushtetin e Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar dhe me pushtime në të gjitha anët e vendit, se gjoja shqiptarët “barinj” nuk dinin të qeverisnin dhe fqinjët grabitqarë me platformat shovene të1844 (“Naçertania” pansllave serbe dhe “Ideja e madhe” helene) pasi sulmuan trojet shqiptare etnike, natyrore e historike, po përlanin, sipas tyre troje osmane gati 5 shekullorë, me miratimet e miqve fuqimëdhenj, që po përfundonin gjeopolitikën ballkanase kolonialiste, si nga Perëndimi edhe nga Lindja.

Brenda trojeve shqiptare vepronin tradhtarët shqiptarë për t’u bërë mbretër vasalë duke shitur territore në të katër horizontet e trojeve apo duke bërë traktate copëtimesh me serbo-malazezët e revolta nga Esat pashë Toptani apo për të risjellë baba sulltanin (grebenistët dhe dumbabistët haxhiqamilistë etj.) dhe “vorio-epirotasit” për t’u bashkuar me nënën Greqi!?

U bënë edhe traktate sekrete greko-italiane për copëtime të reja, por plasi Lufta e Parë Botërore dhe antishqiptaristët vendas e të huaj u hodhën në veprim, se Shqipëria është perla e Ballkanit.

Vijmë shpejt në 2012 për të mos i lodhur lexuesit, se ç’ka ndodhur nga1915-1990 deri sot e dimë mirë, por fati na zë sërish të mbrapshtë në një çorbë derri, se kemi 20 vjet që prodhojmë shkatërrime, tragjedi, drama, varfëri nën ombrellën e të ashtuquajturës demokraci perëndimore, shkurt perëndim dielli me net polare në trojet shqiptare të mirënjohura për turizmin më befasues, se ia kalojmë edhe Zvicrës së lakmuar pa detin. Shkurt, pasi u shkatërrua Shqipëria e mbetur, ish socialiste me emër të mirë dhe vend i përparuar bujqësor industrial i mirënjohur në botë, në vitet 1990-1997 kur erdhën edhe ushtritë e huaja për pajtim e normalizim, u falën kriminelët, që i vunë topat e avionët popullit dhe filloi alternimi i pushtetit blu-rozë, se populli nuk e ka zgjidhur ende si e pse u rrëzua komunizmi dhe pse demokracia e filluar po ha veten 20 vjet. Kështu në fakt nga 1990 vendi mbeti i varur si trasta në degë nën protektoratin e BE, OSBE, NATO, OKB. Këtë fat pësoi edhe shteti i dytë shqiptar në trojet tona, Kosova e cunguar sërish nën të njëjtat tutela, por me risinë e re se nuk valëvit flamurin kombëtar të Skënderbeut e Ismail Qemalit, por 6 yje domethënë shtet shumëetnik.

Lugina e Preshevës iu la Serbisë nga çorba Ahtisari me bekim të OKB. Maqedonia u krijua shtet liliput i majmur me trojet shqiptare, përfshi ato që Ahmet Zogu qerasi serbët që e risollën në pushtet. Mali i Zi liliput mban trojet shqiptare që thithi që nga Kongresi i Berlinit e Traktati i Shën Stefanit. Në këto troje nën kolonizim, shqiptarët nuk gëzojnë as të drejtën e flamurit kombëtar dhe po heqin të zezat si qytetarë të dorës së dytë e të tretë ose të dëbuar në mërgim me formula spastrimi etnik, genocide, shkëmbim popullsie e marifete të tjera policoro-diplomatike.

Qeveritarët tanë shkojnë atje, hanë e pinë dhe lumturohen se shqiptarët jetojnë në demokraci. Për Çamërinë, as që bëhet fjalë se Greqia deklaron se nuk ka çështje çame, duke e shoqëruar me akuzat e “ligjit të luftës” nën Musolinin fashist, me ngrirjen e llogarive e pasurive të shqiptarëve dhe me gjoja bashkëpunimin me hitlerianët, që çuan në spastrimin etnik e genocidin nga zervistët fashistë grekë, nën kujdesin e miqve të mëdhenj të Greqisë, e cila është idhull i tyre për themelimin e kulturës perëndimore. Por qeveritarët shqiptarë flasin për marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë, kanë frikë të ngrenë çështjen çame e të kundërshtojnë me forcë synimet për “Vorio-Epirin” dhe e qerasin Greqinë me detin e naftën tonë, duke u bërë lepitkë grekomadhe.

 

Përsëri, shqiptarët të ndarë e të përçarë në 150 parti nga brenda e nga jashtë, nga vetvetja dhe nga të ashtuquajturit miq për fiq gjeopolitikë fatbërës. Por kjo gjendje mjerane më 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë, është një zvarritje e shkaktuar nga peshkaqenët e vet shqiptarë që u morën me grabitjen e pasurive kombëtare, të bëra me gjakun e djersën e popullit gjatë Shqipërisë së Re socialiste, duke mos i njohur asnjë meritë të merituar dhe po stolisin shtetin e klaneve të veta, në bashkëpunim e mirëkuptim, por me sherre e shamata për të mashtruar popullin e mbetur cung, se shumica e banorëve iku në kërkim të bukës së gojës dhe pakica ha veten në varfëritë skajshme, duke parë bosët e parlamentit e të sulltan shtetit, të pleksur me fije të dukshme e të padukshme me pakte të mira të jashtme, por më tepër me pisllëqe të jashtme të botës në krizë, që në kërthizën politiko-ekonomiko-kulturore, krizën e përhershme kapitaliste.

Veç gjendjes kaotike e anarkike, krizës shpirtërore e kulturore, dhe pikëpyetjeve të mëdha para zgjedhjeve të 1913, pra vitit po ters shqiptar, më 1912 në Shqipëri një pjesë e detit Jon iu dha Greqisë me marrëveshje qeveritare, siç kuptohet duke këmbyer troje e naftën shqiptare me pazare llogarish rrjedhëse, që nga nisja e demokracisë më 1990 dhe kur në muret e parlamentit grek janë gdhendur emrat e krahinave të Shqipërisë së jugut, që Greqia i mëton si “Vorio-Epir”. Edhe në Kosovë vazhdon kanceri i Mitrovicës së Veriut etj. Çibanë Ahtisari me kishat gjoja serbe e pakicat etnike në Kosovën me banorë shumicë shqiptare etnike, natyrore e historike. Edhe më keq kur më 14 janar 2012 në Kosovë ndodhi protesta ligjore, që u krahasua me atë të 21 janarit 2011 në Tiranë, ku u vranë 4 vetë, një krim e turp qeveritar.

Kjo përqasje të rrënqeth mishtë, se qeverisjet ngjajnë si dy pika uji kur Kosova ka më shumë halle dhe duhet të më e kujdesshme në çdo hap. Pas 100 vjetësh sërish e quajmë veten jo komb shqiptar, por krahinarë gegë, toskë, kosovarë, çamë etj., se ende nuk duam të bëjmë shtet e komb, se duam bajrak, bej, sulltanat për të plaçkitur pasuritë kombëtare dhe këto veprime s’quhen faj e krim, a ndotje morale.

Pas këtyre sqarimeve të shkurtra për ata që duan të kuptojnë vjen “ëmbëlsira”: si në Tiranën zyrtare dhe në Kosovën, që ende bie erë baruti i spastrimit etnik e genocidit millosheviçar, deklarohet pa u skuqur, pa u zverdhur para shqiptarëve të kudondodhur dhe botës mbarë, se nuk është koha për bashkim kombëtar, fare thjeshtë, pa shpjeguar pse e qysh, nga koka e vet apo nga koka e klaneve e miqve të vet. Pse i mbajnë avazin atyre antishqiptarizmave që gëlojnë tashmë nga shekujt e kaluar dhe nuk kanë bërë qoftë kërkesa formale a vënë kushte minimale faktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në çështjet shqiptare në bazë të konventave ndërkombëtare për të drejtat e liritë e njeriut, të parimeve të vetëvendosjes së popujve dhe integruese etj., që u zbatuan edhe vitet e fundit në ish Jugosllavi e gjetkë dhe vetëm për shqiptarët qenka kusht detyrues statuskuoja e kufijve të shek.XIX, XX e XXI!? Kush i autorizoi të bëjnë këto deklarata kur nuk kanë asnjë vendim kuvendi, asnjë vendim qeverie, asnjë referendum popullor etj., sikur t’ishte pronë e të parëve të tyre! Nëse ka vendime të tilla, atëhere të bëhen publike, si për shqiptarët edhe për botën e jashtme. Nëse ka marrëveshje sekrete dhe doemos që ka, le të hapen arkivat, që nga Kongresi i Berlinit e deri më sot, duke i përmbledhur në vëllimet përkatëse.

Ky është një detyrim i qeverisjeve të shqiptarëve sot. Ne nuk ua japim votat dhe nuk paguajmë taksat që të na mashtrojnë, si ua ka ënda klaneve qeverisëse dhe bosëve mafiozë demokratë e malukatë grykës për pasuritë e mbi e nën tokës së trojeve shqiptare. Shqiptarët atdhetarë të kudondodhur duhet të kërkojnë transparencë të plotë për çështjet që kanë të bëjnë me bashkimin e kombit shqiptar dhe marrëdhëniet me fqinjët tanë në bisedime dypalëshe e shumëpalëshe në OKB, BE,OSBE, NATO etj. T’i jepet fund diplomacisë sekrete për çështjet shqiptare dhe t’u jepet fund protektorateve të huaja mbi trojet e qeverisjet shqiptare, mbi popullin shqiptar, përfshi edhe qeverisjen me guvernatorët diplomatë të përmasave trojka, skifterë e Ahtisarë, që shpesh flasin si e ëma e Zeqos majë thanës dhe pasi majmen edhe pak në trojet shqiptare, këta ustallarë ikin me dekorata plot gjoksin për bëmat, që u kanë pëlqyer atyre dhe shqiptarët i lënë shekull pas shekulli të nëpërkëmbur, të përgojuar, që i ngulin e i shkulin, sipas orekseve të kohës për t’a hedhur lumin pa lagur. Ndonjë i huaj flet nëpër dhëmbë se shqiptarët duhen bashkuar, por presin për të vepruar!

 

Nëse nuk kërkojmë të drejtat tona, bota nuk na jep asgjë, por kur kemi luftuar me përkushtim, na kanë lëshuar ca thërrime, por jo tortën e plotë, se vepron ende politika e kulaçit dhe e kërbaçit shqiptar e të huaj. Shqiptarët e pabashkuar do të kenë rreziqe të reja në sfidat e ardhshme. Meqë jemi vëllezër të një mëmëdheu, të veprojmë së bashku në mirëkuptim, ndryshe drejtuesit fatkeqë do na çojnë në gremina të reja, se dhuna sjell dhunën, revoltën kur na duhet me doemos paqja për të zgjidhur problemet kombëtare. Plaku i Vlorës e ka thënë me kohës atë që kërkuan edhe rilindasit e lirisë e pavarësisë më parë, se pa Kosovë (në kuptimin e gjerë nën ish Jugosllavi) dhe pa Çamëri nuk mund të ketë Shqipëri etnike, natyrore, historike. Asnjëra nga këto krahina nuk mund të jetojë e përparojë pa tërësinë e pasurive të veta në çdo skaj, siç e kanë treguar jo njëherë vetë atdhetarët e përkushtuar shqiptarë, por edhe të huajt miq të vërtetë të shqiptarëve, të cilët kanë shkruar vepra të argumentuara mirë. Pse ne shqiptarët e sotëm nuk po ndjekim rrugën e nisur në shekuj për t’u mbrojtur nga pushtuesit e huaj të çdo forme e mënyre të sundimit kolonial, gjysmë kolonial apo integrues në dëmin mbarëkombëtar shqiptar?

Përvoja shekullore, të paktën duke filluar nga epopeja e Skënderbeut, që shpëtoi edhe krishterimin evropian nga osmanët, që nga përpjekja e Ali pashë Tepelenës, nga kryengritjet e mëdha që kulmuan Lidhjen e Prizrenit, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, nga Kongresi i Lushnjës e Luftës së Vlorës, nga LANÇ-i dhe nga UÇK-ja që çimentuan liri e pavarësi të shqiptarëve, janë shembulli më kuptimplotë dhe udhërrëfyes për shqiptarët që guxojnë të mbrohen nga padrejtësitë e kohëve të kaluara dhe të hedhin në koshin e plehrave traktatet e diplomacive sekrete dhe të zhabave të qeverisjeve klanore, krahinore etj., që gëlojnë ende sot për të keqen e shqiptarëve në trojet etnike, natyrore e historike. Shqipëria nuk do të jetë vend i zhvilluar as më 2012-2015, siç deklaron mbreti blu, por as më 2050 apo 3000 me këto probleme të mëdha përçarjesh, dhjetra e qindra partish në çdo krahinë shqiptare, me dy shtete me bashkëpunim minimal, dhëntë zoti jo rivalë, dhe me troje shqiptare nën fqinjët.

Kërkesa e bashkimit të kombit është ligjore, drejtësi, dinjitet e sovranitet kombëtar, i barabartë me ata në BE e OKB. Shteti shqiptar i bëri pronarë tokash pakicën greke, por paradoksi është se nuk kërkohet kthimi i çamëve në vatrat e veta etnike. Ne jemi atdhetarë e mëmëdhetarë dhe jo nacionalistë, siç u pëlqen të na akuzojnë antishqiptaristët. Shqiptarët duhet të rizgjohen e jo te këmbët, në vend të qëndresës atdhetare, të luftojnë kundër fyerjeve nga kushdo, të ngrihen në protesta publike kundër kameleonëve dhe rrufjanëve politikë, mos presim të na trajtojnë si çobani dhëntë e dhitë. Mos çarmatosemi kur fqinjët tanë armatosen. Të kalitim vullnetin atdhetar për bashkim kombëtar, se shumica e shqiptarëve e do si sytë e vet.

Jo shpërfilljes së asnjë pëllëmbe etnike të banuar nga shumica dërmuese nga shqiptarë! Poshtë bëmat tona politike kundëratdhetare e kozmopolite. Integrimi nuk është nënshtrimi. Ndërgjegjësimi është detyra e parë atdhetare, pastaj organizimi e veprimi me dinjitet atdhetar. Demokracia nuk është përgjumje, por liri e pavarësi e të drejtave njerëzore. Shqipëria, Kosova e shqiptarët kudo në shtetet fqinjë duhet të bëjnë bisedime parimore për zgjidhje parimore politike, ekonomike, etnike. Pa marrëdhënie fqinjësie të ndërsjellta nuk ka miqësi e integrim të vërtetë, pa zgjidhur problemet dypalëshe s’ka paqe mes popujve.

 

Dr. Hasan LUÇI

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

This content has been locked. You can no longer post any comment.

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.