gototopgototop
Aktual:
Sunday, 12 August 2012 11:53   
Mark Dodani: Në ’45-ën, bandat e maleve më vranë babain dhe vëllain
Dossier

Grupe Diverzantesh që zbarkuan në Shqipri nga teritori Jugosllav dhe atij Greke“Gazeta Shqiptare” po fillon botimin e historisë së rrallë të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, të cilit i kushtoi gjithë jetën e vet, duke nisur që nga periudha e luftës partizane kur u krijua ky shërbim. Veprimtaria e Dodanit në radhët e Sigurimit komunist ra menjëherë në sy të drejtuesve kryesorë të shtetit të atëhershëm, për pasionin, këmbënguljen dhe zgjuarsinë e tij. Ai u bë menjëherë një nga njerëzit me tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi. Kështu, pas kësaj, Mark Dodani vendosi lidhje direkte me vetë drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilët, për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha, luftonin në një organizim të përsosur. Në interes të Sigurimit të Shtetit, krah shumë njerëzve me emër të atij shërbimi si Paj Mylishi, Idriz Seiti, Asim Aliko, etj., Mark Dodani, duke pasur edhe ndihmën direkte të përfaqësuesit më të lartë komunist të zonës së Mirditës, Bardhok Biba, arriti vetë ose me elementët që vinte në përdorim, të hynte deri në radhët e bandave më të fuqishme dhe të rrezikshme të drejtuara nga “Komiteti i Maleve”.
Por, si hyri ai në këtë shërbim?
* Vrasja e babait dhe vëllait të tij, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë.
* Hakmarrja, që vendosi ta bënte në emër të shtetit me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana.
* Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur ndër të besuarit e paktë të Ministrisë së Brendshme për misionet më sekrete të saj?
Gjithçka do të mësohet, në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Dodani, i cili tashmë ka arritur 86 vitet e jetës së vet.

Zoti Dodani, po bëj një hyrje të shkurtër të jetës suaj, për të vijuar më tej me pyetjet për të cilat do të dëshiroja të më përgjigjeshit.
Kështu, nëse jam i qartë, di se Mark Dodani ka lindur në Mnelë të Mirditës në vitin 1926 dhe sot është plot 86 vjeç. Historia e rrallë e tij lidhet me atë që, gjithë jetën e vet e ka vënë në shërbim të Sigurimit komunist. Kështu që, në fillimet e këtij shërbimi, gjatë kohës së luftës dhe më mbrapa, ai ka qenë eksponent kryesor, duke pasur lidhje direkte me drejtuesit qendrorë si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.
Ndërkohë, vijojmë më poshtë, zoti Dodani. Siç jemi të informuar, pushtimi fashist i vendit, që është 7 prilli i vitit 1939, ju ka gjetur në klasën e pestë të shkollës fillore, të cilën e kishit nisur në vitin 1935 në vendlindjen tuaj, Orosh.
Pra kjo është një rezyme që munda të bëj unë mbi origjinën tuaj të hershme.
Pyetja ime do të konsistonte pikërisht te ky moment, për të vijuar me jetën tuaj të mëtejshme, e cila për hir të së vërtetës është me ngjarje sa historike aq edhe interesante.
Pra, çfarë mund të flisni për jetën tuaj të mëtejshme pas pushtimit të Shqipërisë?

Është e saktë, siç përmendët juve, se në vitin 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia, unë kam qenë në klasën e pestë në shkollën e Oroshit. Atëherë madje kam pasur edhe një episod të lezetshëm.
Çfarë episodi?
Po ja, atëherë unë pashë për herë të parë italianë, madje që të shprehem më mirë, do të thoja se deri atëherë nuk kisha parë ndonjëherë njerëz të huaj, aq sa nuk e dija se ata, pra të huajt kishin gjuhë ndryshe nga e jona. Kështu, atë ditë që italianët do të vinin në fshatin tonë, mësuesit tanë po merreshin me përgatitjen e pritjes së tyre.
Si po përgatiteshin?
Po ja, na thonin se si do të rrinim, si do t’i takonim, se duhej të kishim kujdes që të mos turpëroheshim, se ata ishin të huaj. Në ato momente mbaj mend që mësuesi na tha se duhet të kishim parasysh se italianët nuk dinin shqip por flisnin italisht, por ne duhet të kishim durim dhe të bënim kujdes, se atë që do të thonin ata, do të na e përkthente mësuesi, ndërsa atë që do të thonim neve, do ta përkthente po ai për italianët. Në atë moment tepër të çuditshëm për mua, për vetë atë që po dëgjoja, - se në këtë dynja paskësh njerëz që nuk flisnin shqip, - pyeta plot çudi se, “po për të qeshur, a qeshin shqip italianët?”. Kjo ndërhyrje imja mbeti e paharruar përjetë nga shokët e mi të asaj shkolle.
Ju thoni se e pritët italianin me ceremoni?
Ishte mendimi i një pjese të njerëzve, por duhet të kemi parasysh gjithashtu se jo të gjithë luftuan apo e përkrahën Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, por që pati dhe shumë të tjerë që u përzien me luftën kundër pushtuesit. Madje u krijuan shumë çeta dhe batalione partizane.
Zoti Mark, pavarësisht se fola diçka, unë do t’ju lutesha si fillim të flisnit personalisht diçka për vendlindjen tuaj.
Pothuajse e përmendët plotësisht juve, megjithatë po ju përsëris se unë kam lindur në Naraç (Mnelë) të Mirditës në vitin 1926 dhe tani i bie të jem faktikisht 86 vjeç, por që unë e konsideroj veten gjithmonë 40 vjeç, se, që ta dish ti, - këtë nuk ta them për ta shkruajtur, - në jetën time kam festuar vetëm dyzetvjetorin dhe asnjë ditëlindje tjetër. Kështu që, siç më sheh, (tregon fizikun e tij që është tepër energjik), më duket se nuk kam gabuar, por aq kam mbetur.
Keni qenë në luftë?
Po, kam qenë. Që në vitin 1942, ku kam qenë pjesëmarrës si i ri komunist në çetën partizane Pukë - Mirditë. Më pas, në batalionin “Perlat Rexhepi” të Pukës. Kjo më bëri që të futem me dëshirë në organet e Sigurimit të Shtetit, për të mbrojtur ato që kishim marrë me gjak.
Pra, pushtetin komunist?
Po. Atë ideal kishim ne, për atë luftonim dhe pak rëndësi kishte nëse ishe komunist apo ballist, pasi ai pushtet iu mor me gjak pushtuesit dhe nuk mund ta linim që të përdhosej.
Zoti Dodani, jeni penduar ndopak që i keni shërbyer me devotshmëri shtetit komunist?
Unë nuk luftoja thjesht për sistemin komunist, por për njerëzit dhe popullin, dhe për këtë kemi qenë shumë idealistë. Mund ta keni mësuar se unë nga kjo luftë e pamëshirshme dhe që quhej “e ftohtë”, kam humbur babain dhe vëllain, të dy shumë të rinj.
Kush jua vrau?
Bandat e “Komitetit të Maleve”, që luftonin për të përmbysur pushtetin dhe këtë e filluan nga njerëzit tanë më të afërt.
Kush ishit juve?
Ne ishim njerëzit që vumë në kokë qefinin e vdekjes dhe thamë, “o ne, o ata”. Kështu, u betuam që të mos i linim kriminelët të bënin çfarë të donin mbi fshatrat e malësisë. Sepse po e pësonin njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur deri dhe gratë, të cilat vriteshin pa kurrfarë hezitimi. Por detyra jonë në organet e Sigurimit nuk ishte vetëm të vrisnim njerëzit që ishin anëtarë të këtyre bandave. Këtë detyrë e kishim vetëm për kriminelët që kishin larë duart me gjak dhe nuk dorëzoheshin, ndërsa për të tjerët kishim detyrë që mes amnistish, që kërkonim herë pas here, të ktheheshin në shtëpi, pasi ishin të gënjyer dhe se kishin frikë se mos u ndodhte gjë.
Çfarë kontingjenti ishin këta?
Këta ishin njerëz që për një arsye konflikti apo frike se mos burgoseshin, e të tjera arsye që ishin nga më të ndryshmet, kishin rënë viktimë e strehimit në bandat e shumta, me të cilat ishte mbushur veriu i Shqipërisë. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, këtyre njerëzve, kishte për detyrë t’u thoshte që të mos gjenin strehë te vrasësit, se kishin fëmijë dhe ata i prisnin që t’i rrisnin. Ka qenë luftë e madhe për jetë a vdekje, por që më shumë anonte nga vdekja. Mundësitë për të jetuar ishin shumë të vogla, sepse ishte një terror i paimagjinueshëm. Përditë na vriteshin shokë, kolegë dhe shumë njerëz të tjerë, që ne nisnim t’i vinim në shërbimin tonë. Kini parasysh se në “Komitetin e Maleve” kishte organizata shpagimi, të cilat vrisnin ata që vendosnin në listë.
E kush vendosej në listë?
Në listat e Komitetit, që do të vriteshin nga organet e shpagimit, ishin vënë të gjithë komunistët e zonës, njerëzit që kishin ndihmuar luftën, si dhe kuadrot e lartë të shtetit që vepronin në zonat e veriut. Kështu, për shembull, u vra shoku ynë Bardhok Biba, apo shumë e shumë të tjerë që nuk po ua përmend emrat.
Konkretisht, kur filloi jeta juaj në shërbimin e fshehtë?
Unë kam qenë i lidhur me shërbimin e fshehtë që në kohën e luftës partizane. Atëherë unë kam shërbyer në SH.I.L, që do të thoshte Shërbimi Informativ i Luftës, i cili është themeluar në 20 mars të vitit 1943. Më pas kam qenë në të njëjtin sektor, por që quhej SEMP (Sektori i Mbrojtjes së Popullit).
Me çfarë merreshit konkretisht në këtë shërbim?
Si partizan hyja ilegalisht në Shkodër, ku takoja komunistë të shquar, anëtarë të grupeve të njësiteve guerile. Në kohën që u çlirua Puka, më 20 nëntor të vitit 1944, unë isha sekretar politik i Komitetit të Rinisë Komuniste të nënprefekturës së Pukës.
Kur e konstatuat për herë të parë se ishit përcaktuar nga Sigurimi që të punonit në radhët e tij?
Ka qenë Kongresi i Dytë i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Ishte saktësisht muaji prill i vitit 1945. Kongresi u zhvillua aty, ku sot është korpusi kryesor i universitetit. Unë, si sekretar politik i Rininë Komuniste të Pukës, duhej që sipas protokollit të flisja patjetër. Mirëpo menjëherë, para seancës, më takon Nako Spiru dhe më thotë që në materialin që do të lexoja unë në emër të Komitetit të Rinisë së Pukës, të mos përdorja emrin tim, por të dikujt tjetër. Kështu që në diskutim regjistrova emrin e Idris Metit, që ishte një shoku im.
Nga kjo e kuptuat që ishit përfshirë nga organet e Sigurimit?
Patjetër. Ajo, jo vetëm që u la të kuptohej, por zëre se po më thuhej copë. Ndërkohë, dihej se unë me punët e Sigurimit kisha njëfarë eksperience, si shumë të tjerë që e kishim filluar më herët, që kur kemi qenë në luftë, në çetën e zonës Pukë - Mirditë dhe më pas në batalionin e Pukës. Atëherë unë kam shërbyer në SH.I.L dhe më pas kalova në SEMP.
Si vijuan më tej ngjarjet?
Si mos më keq. Dy muaj pasi kisha folur në Tiranë, më vranë babain, Llesh Dodanin, që ishte vetëm 43 vjeç, dhe vëllain, Preng Dodanin. Saktësisht data ishte 24 qershor 1945, kur m’u vranë njerëzit e shtëpisë.
E mësuat kush t’i vrau?
Siç thashë dhe pak më parë, ata m’i vranë bandat e “Komitetit të Maleve”, duke ngarkuar personalisht Preng Bardhokun.
Kush ishte Preng Bardhoku?
Ai “de jure” ishte anëtar i Partisë Komuniste. Ishte njeri që me mënyrën e të sjellurit, kishte fituar besim absolut te komisari i Komandës së Vendit në Vaun e Dejës, Fadil Adem Hoxha. Por me këtë mënyrë, siç u vërtetua më pas, ai kishte mundur të kamuflohej mirë, pasi ishte agjent i “Komitetit të Maleve”. Me ndihmën e komisarit arriti të bëhej dhe komandant i Komandës së Vendit në Vaun e Dejës. Kështu që kur erdhi momenti, ai zbatoi urdhrin e “Komitetit të Maleve” për të vrarë babain dhe vëllain tim në lulen e jetës.
Kush ishte “Komiteti i Maleve” dhe si vepronte ai?
Komiteti i Maleve përbëhej nga shumë banda, që vepronin në zona të ndryshme të malësisë dhe arrinin deri në Vlorë. Këto ishin grupe apo banda të veçanta që vepronin në zona dhe territore të caktuara, duke u drejtuar nga një bërthamë e tillë, e përbërë nga komandantët e grupeve të veçanta. Kështu, bandat e “Komitetit të Maleve” drejtoheshin, për shembull, njëra nga Mark Gjon Markaj, tjetra nga Muharrem Bajraktari, nga Fiqiri Dinja i Dibrës, Banda e Macukullit që drejtohej nga Bilal Kola, duke vazhduar në Lekbibaj që drejtohej nga Nik Sokoli, duke u shtrirë në jug me Bandën e Labërisë që drejtohej nga Lahe Nurja nga Vlora. Ndërkohë, bërthama nga vareshin këto banda, përbëhej nga Mark Gjon Markaj, si kryetar, dhe nga zv/kryetarët Muharrem Bajraktari, Markajak Bajraktari, Pashuk Biba, Gjon Dodani, etj.
Kush ishte ky Gjon Dodani që paska mbiemrin tuaj?
Ishte xhaxhai im. Saktësisht ishte kushëri i parë i babait dhe ishin bërë vëllezër të dy, se Lleshi, babai im, nuk kishte vëlla.
Pra, me sa përmendët më lart, Gjoni ishte një nga personat drejtues të “Komitetit të Maleve”!?
Po, dhe e dinte që Lleshi ishte dënuar nga ky Komitet për t’u vrarë dhe nuk foli që ta mbronte, por heshti.
Pse?
Se Lleshi, pra im atë, ishte kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit, i krijuar që në nëntor të vitit 1944, dhe kishte heshtur kur Gjonin e kërkonin forcat e ndjekjes. Kështu që dhe Gjoni heshti kur im atë kërkohej nga bandat e “Komitetit të Maleve”.
Pse jua vranë babain dhe vëllain?
Babai im ishte kërcënuar që gjatë pushtimit, - se mbante anën e Luftës Nacional-Çlirimtare, aq më shumë që unë isha partizan, - se do t’i digjnin shtëpinë dhe do ta shfarosnin. Në fakt, duke përfituar nga një konflikt që kishim si familje, shtëpinë na e dogjën vërtet, duke u munduar të maskohej si e bërë nga rezultati i konfliktit që ishte krijuar mes fisit tonë.
Ç’bëtë pas vrasjes së babait tuaj?
Gjon Dodani, xhaxhai im, që ta shpjegova më lart, ishte në “Komitetin e Maleve”, megjithëse heshti kur Komiteti mori vendimin të vriste babain dhe vëllanë tim; e vuante vdekjen e tij. Ai nuk mundi të rrinte në qetësi, pasi, sido që të ishin bindjet politike, iu dhimbs vdekja e tim eti, se ishin rritur bashkë dhe kishin jetuar në një çati. Kështu, në këtë situatë psikologjike ai dërgoi një person për të më treguar se kush ishte vrasësi i vërtetë i njerëzve të mi. Ky person që më dërgoi Gjoni, ishte një ish-toger i fashizmit gjatë kohës së luftës, dhe më pas, kur e morën pushtetin komunistët, kaloi në bandat e “Komitetit të Maleve”, pikërisht në bandën e xhaxhait tim, pra Gjonit.
Pse të njoftoi Gjoni për këtë gjë?
Ai më njoftoi për të më treguar se kush ishte vrasësi, me qëllim që unë ta kisha të thjeshtë që ta merrja hakun që më takonte për babain.
Konkretisht, si shkoi takimi me “Kosian”, kur juve ju ndanin dhe bindjet politike?
Këtu hynte dashamirësia dhe flitej për vëllazëri. Mbaj mend që “Kosia” më tha: “Ti je djalë i ri dhe ke nevojë të marrësh hak. A e di kush ta vrau babën?”. “Po, - iu përgjigja, - ma vrau Preng Bardhoku”. Ai ndërkohë m’u përgjigj se ishte e vërtetë dhe se Preng Bardhoku nuk kishte qenë vetëm. “Ai tani është arratisur dhe ka ardhur në mal te ne. Më ka thanë axha yt, që unë të të ndihmoj të të tregoj vrasësin. Unë jam mik dhe besnik i axhës tënd, se burrë më të lartë, besa e zotit, s’ke ku me e gjet. Kështu që unë jam gati të ta marr hakun e Llesh Dodanit, në qoftë se ti e merr në krrabë hakmarrjen. A je i gatshëm?”.
Si ishte fjala “e merr në krrabë”?
Kishte kuptimin që, po ta vriste ai, a e merrja unë përsipër atë hakmarrje, pra që të pranoja që “Kosia” ishte i vënë nga unë për të marrë hakun e Lleshit. Unë menjëherë iu përgjigja, se jo vetëm që e marr përsipër, por i ngelem borxhli tërë jetën. Ku ta gjeja një njeri kaq të mirë, që më përgjigjej me kaq dashamirësi?! Dhe ç’është e vërteta, u bëmë miq e kaluar miqsh.

(Vijon nesër)

 

Nga Fatos Veliu

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.