gototopgototop
Aktual:
Saturday, 06 October 2012 14:28   
Kristo Frashëri: Balli Kombëtar, as anëtarët nuk e dinë kur u themelua
Histori

Balli Kombtar: Foto 1944Nga romakët e vjetër kemi trashëguar një sentencë filozofike me vlerë universale: historia është mësuese e jetës (Historia magister vitae). Historia është mësuese e jetës jo vetëm për individët, por edhe për partitë, madje edhe për kombet. Sipas kësaj sentence, të gjithë duhet të nxjerrin mësime nga e kaluara - mësime si për faktorët që kanë sjellë fitore dhe përfitime, ashtu edhe për gabimet që kanë shkaktuar dëme dhe humbje. Një nga mësimet kryesore që shqiptarët duhet të nxjerrin nga historia e tyre e viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka lidhje me sentencën, gjithashtu me vlerë universale që ka dalë nga pena mjeshtërore e filozofit të shquar italian Nicolo Machiavelli: "Urrejtja është këshilltare e keqe". Kjo do të thotë se në veprimet kundër armiqve njerëzit, partitë, shtetet nuk duhet të udhëhiqen kurdoherë nga urrejtja që kanë për ta, por nga llogaritë e ftohta politike, mbasi disa herë urrejtja sjell dëm.
Jo kurdoherë armiku i armikut është mik. Historia ka dhënë prova se aleanca me armikun e armikut ka sjellë humbjen së bashku me aleatin kur ai ka pësuar disfatë, ose futjen nën zgjedhën e tij kur aleati ka korrur fitore. Historia ka dhënë gjithashtu dëshmi se në vend të aleancës me armikun e armikut rruga më e dobishme është gara me kundërshtarin.

Ky punim ka për qëllim të nxjerri mësimet që dalin nga historia shqiptare e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Më saktë, ka për qëllim të tregojë se cili është shkaku i disfatës që pësoi BK në fund të Luftës së Dytë Botërore. Shpjegimin duket se na e jep filozofi italian N. Machiavelli në sentencën e përmendur. Udhëheqësit e BK në vend që të hynin në garë me Partinë Komuniste Shqiptare në luftë kundër okupatorit gjerman hitlerian, ata të udhëhequr nga urrejtja patologjike kundër rrezikut komunist dhe jo nga logjika e ftohtë politike bënë të kundërtën - u lidhën me okupatorin nazist gjerman për të shtypur me ndihmën e tij Frontin NÇL dhe Partinë Komuniste Shqiptare e cila qëndronte prapa Frontit. Rezultati? Shpartallimi i Gjermanisë hitleriane solli dhe shpartallimin e Ballit Kombëtar. Si përfundim, BK, i cili në fillim të Luftës së Dytë Botërore gëzonte, sipas tij, përkrahjen e shumicës së popullit shqiptar, në fund të luftës, si pasojë e bashkëpunimit me Gjermaninë hitleriane, pësoi një disfatë aq të rëndë sa nuk e ka rimarrë veten as sot e kësaj dite.
* * *
Gjatë Luftës së Dytë Botërore opinioni publik në Shqipëri u polarizua afërsisht në katër rreshtime kryesore politike: në Partinë Fashiste Shqiptare dhe në tri parti antifashiste - në Partinë Komuniste Shqiptare, në Partinë e Ballit Kombëtar dhe në Partinë Lëvizja e Legalitetit - pa llogaritur organizatat e tjera më të vogla, të cilat kaluan si meteorite në qiellin politik të Shqipërisë, siç ishin Partia Social Demokrate, Grupi Demokristian, Lidhja e Parisë Dibrane, Lidhja e Bajraktarëve të Veriut.

Gjatë luftës kanë qenë të njohura letërnjoftimet historike vetëm për tri partitë kryesore - për Partinë Fashiste Shqiptare, themeluar në Tiranë më 23 prill 1939; për Partinë Komuniste Shqiptare, themeluar gjithashtu në Tiranë më 8 nëntor 1941, për Partinë Lëvizja e Legalitetit, themeluar në Zall-Herr, fshat afër Tiranës, më 16 nëntor 1943. Ditën e themelimit ato shpallën me anë komunikatash të veçanta edhe programet e tyre politike.
Përkundrazi, themeluesit e Ballit Kombëtar (BK) nuk shpallën gjatë luftës as datën kur u themelua organizata e tyre, as vendin ku ajo u themelua, as programin politik që miratuan ditën e themelimit. Megjithatë, edhe pse krerët e BK heshtën, qenë krerët e PKSh-së ata që shpallën në fillim të paktën kohën e themelimit të organizatës nacionaliste. Sipas informatave që kishin udhëheqësit komunistë, të cilat sikurse do të shihet më tej, vinin nga burime të sigurta, Balli Kombëtar u themelua nga disa personalitete nacionalistë aty nga mesi i nëntorit 1942, gati dy muaj pas Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), madje si reagim ndaj vendimeve të saj. Datën e shpallur nga Partia Komuniste, anëtarët e djeshëm të BK dhe pasardhësit e tyre të sotëm vazhdojnë ta kundërshtojnë me këmbëngulje. Atyre nuk u pëlqeu dhe vazhdon të mos u pëlqejë që partia e tyre nacionaliste të jetë themeluar pas Partisë Komuniste. Arsyeja kuptohet. Sipas konceptit të tyre, lëvizjet patriotike kanë qenë dhe duhet të jenë monopol i organizatave nacionaliste dhe jo komuniste. Ky koncept i detyroi krerët e Ballit Kombëtar të ngulnin dhe të ngulin këmbë pa patur, siç do të shihet, njoftime dokumentare, se Balli Kombëtar është formuar para se të themelohej Partia Komuniste.

Vetë Mithat Frashëri, i cili mbahet si themeluesi i BK, me sa dimë ne, nuk e ka shpallur asnjëherë datën e themelimit të saj. Përkundrazi, nga disa krerë janë vënë në qarkullim data të ndryshme për themelimin e saj. Kjo mospërputhje pasqyrohet në shkrimet e historianëve ballistë edhe në ditët tona. Si rrjedhim, rreth datës së themelimit dhe rreth programit të saj fillestar është krijuar një anomali jo serioze. Sot, pas 70 viteve, anëtarët e BK-së nuk dinë me siguri se kur ka lindur, në ç'qytet u themelua, në ç'banesë u kushtetua dhe kur u shpall programi i saj politik. Madje, ata nuk janë në unison midis tyre për asnjë nga elementët e letërnjoftimit historik të organizatës së tyre. Të gjithë mbështeten në "kujtime" personale, të cilat duket se janë më tepër frut i hamendjeve ose i dëshirave. Kjo për arsye se asnjë historian nuk ka gjetur nëpër arkiva ndonjë akt zyrtar apo gjysmëzyrtar, apo privat që të ndriçojë me bazë dokumentare themelimin e organizatës dhe emrat e atyre që atë e themeluan. Si rrjedhim, koha e themelimit të BK dhe identiteti historik që pati kur u themelua kanë mbetur ende çështje të hapura. Pikërisht me sqarimin e këtyre çështjeve do të merremi në këtë punim. Paraprakisht njoftojmë se për sqarimin e këtij problemi do të mbështetemi kryesisht, me ndonjë përjashtim të rrallë, në materialet që kanë dalë drejtpërdrejt nga Balli Kombëtar ose nga krerët e tij kryesorë.
1. Balli Kombëtar dhe
Konferenca e Pezës

Kur më 16 shtator 1942 u mblodh Konferenca e Pezës, organizatorët e së cilës dihet se qenë udhëheqësit e Partisë Komuniste, ishin të bindur se në arenën politike të Shqipërisë, përveç partisë së tyre nuk ekzistonte asnjë parti tjetër antifashiste. Ata ishin gjithashtu në dijeni se në kostelacionin politik të shoqërisë shqiptare ekzistonin edhe dy rreshtime politike antifashiste, por të paorganizuara politikisht - simpatizantët e mbretit Zog, të cilët në Shqipëri në vitin 1942 i përfaqësonte Abaz Kupi dhe nacionalistët demokratë të frymëzuar me ide republikane, perëndimore, të cilët lëvrinin si elektronë të lirë në kërkim të një identiteti partiak. Krahas tyre, ekzistonte edhe një grupim tjetër politik, anëtarët e të cilit para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste bënin pjesë në emigracion në organizatën "Bashkimi Kombëtar" me program demokratiko-republikan, por që pas 7 prillit 1939 organizata e tyre ishte shthurur dhe shumë prej tyre ishin shndërruar në kolaboracionistë të okupatorit fashist italian. Madje, krerët e kësaj organizate, si Ali Këlcyra, Qazim Koculi, Kol Tromara, Koço Muka, Rexhep Mitrovica me në krye Mustafa Krujën, ishin treguar të gatshëm ta ndihmonin Benitto Mussolin-in në pushtimin ushtarak të Shqipërisë më 7 prill 1939.

Dihet se synimi që pati PKSh-ja në Pezë ishte që aty të vinin sa më tepër patriotë të njohur të rrymave të ndryshme politike antifashiste, të cilët të merrnin pjesë bashkërisht në themelimin e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar. Madje, duke shfrytëzuar mungesën e një organizate patriotike nacionaliste udhëheqësit komunistë synonin që ata të përqendronin në duart e PKSh-së nëpërmjet Frontit NÇL që do të krijohej në Pezë, drejtimin e mbarë lëvizjes antifashiste shqiptare të çlirimit nacional. PKSh-ja mendonte se rrethanat për të realizuar synimin e saj ishin të favorshme, mbasi në shtatorin e vitit 1942 kur u mblodh Konferenca e Pezës, në Shqipëri nuk ekzistonte, siç u tha, asnjë parti militante nacionaliste, e cila po të kishte ekzistuar do ta kishte marrë ajo vetë, ashtu si partitë nacionaliste të mbarë Evropës, nismën e një Konference si ajo e Pezës.

Vetëkuptohet se në Konferencën e Pezës nuk u ftuan as anëtarët e Partisë Fashiste Shqiptare, as anëtarët e dikurshëm të "Bashkimit Kombëtar", tani të kthyer në kolaboracionistë të okupatorit fashist italian. Krahas delegatëve të Partisë Komuniste, aty u ftuan edhe mjaft nacionalistë të brezit të ri që njiheshin si antifashistë. Midis atyre që u ftuan ishin edhe tri personalitetet e spikatur të lëvizjes patriotike shqiptare të asaj kohe - Ndoc Çoba, Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi. Ndoc Çoba, një republikan demokrat, i cili njihej si një patriot i ndershëm dhe antifashist, e pranoi ftesën që atij i paraqiti Mustafa Gjinishi në emër të nismëtarëve për të marrë pjesë në konferencë. Edhe Abaz Kupi, i cili qëndronte në arrati brenda vendit dhe nuk e fshihte se ishte një monarkist zogist, u tregua i gatshëm të shkonte në Pezë. Përkundrazi, Mithat Frashëri, figura më e spikatur e nacionalistëve shqiptarë, hezitoi: as pranoi, as kundërshtoi të merrte pjesë në Konferencën e Pezës. Ai i la Mustafa Gjinishit të kuptonte se atij i duhej të shihte zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Megjithatë, ai deklaroi se do të dërgonte në Pezë një vëzhgues. Ky ishte Halim Begeja, biri i juristit Ali Begeja, deputet i dikurshëm i Tiranës në parlamentin shqiptar, përkrahës i Revolucionit të Qershorit dhe mik i vetë Mithatit. Kështu, ndërsa Ndoc Çoba shkoi në Pezë si nacionalist i pavarur dhe Abaz Kupi, i cili u deklarua haptas se përfaqësonte lëvizjen zogiste - Halim Begeja shkoi me titullin politik sekretar i Rinisë Nacionaliste Shqiptare, organizatë e cila deri atëherë nuk kishte dhënë shenja të ekzistencës së saj.

Në konferencë asistuan gjithsej 31 delegatë, nga të cilët 25 me të drejtë vote, kurse 6 të tjerë si dëgjuesa. Nga 25 delegatët me të drejtë vote 8 ishin anëtarë të PKSh-së (Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Kristo Themelko, Nako Spiru, Kadri Hoxha, Gjin Marku), kurse 17 ishin nacionalistë jo komunistë (Myslym Peza, Baba Faja, alias Mustafa Xhani, Ndoc Çoba, Abaz Kupi, Kristo Harito, Muharrem Bajraktari, Sami Jegeni, Tahsim Bishqemi, Dule Çela, Kamber Qafmolla, M. Juniku, Skënder Muço, Aziz Çami, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Sulo Bogdo, Ismail Petrela).

Në rezolutën e miratuar nga Konferenca e Pezës, më 16 shtator 1942 flitet në hyrje se aty kishin ardhur "delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësues të të gjitha tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste Shqiptare, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe të Rinisë Femnore Popullore Shqiptare".
Sikurse shihet, në rezolutën e Konferencës përmendet vetëm Partia Komuniste, kurse Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar nuk zihen në gojë. Kjo për arsye se ato nuk ishin themeluar ende si organizata politike.

Nga procesverbali i mbajtur del se konferencën e hapi Ndoc Çoba, i cili dihet se kishte çelur edhe punimet e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920. Në konferencë u mbajtën disa referate nga udhëheqës të Partisë Komuniste - nga Ymer Dishnica (mbi situatën politike të jashtme dhe të brendshme), nga Enver Hoxha (mbi këshillat nacional çlirimtare) dhe nga Nako Spiru (mbi rininë antifashiste). Pas tyre morën fjalën shumë delegatë nacionalistë por askush prej tyre nuk e përmendi as emrin e BK as atë të Lëvizjes së Legalitetit. Madje as emrin e organizatës Balli Kombëtar nuk e përmendën as Ramazan Jarani, as Skënder Muço, as Azis Çami apo Halim Begeja, të cilët pak më vonë shfaqen si militantë të saj. Veç kësaj, kur Halim Begeja e mori fjalën theksoi, sipas procesverbalit, "nevojën e vërejtjes mbi situatën politike, të cilën ne (nacionalistët), - tha ai, - e ndjekim me admirim. Deri sot, - vazhdoi ai, - ndoshta nuk kemi bërë gjë, por që sot e tutje ne do të jemi gati në sabotime e në spastrime, kudo që të vendosë ky popull. Disa mund të thonë që komunizmi do të na vijë. Në qoftë se komunizmi invadon botën, sikur të gjithë nacionalistët të ngrihen me mitraloza, nuk mund të bëjnë asgjë. Gjithashtu, nacionalizmi nuk mund të pengohet nga komunizmi. Në qoftë se populli zgjedh komunizmin, ne do të vazhdojmë vullnetin e tij. Pra, për të ardhmen të lëmë suprem popullin... Derisa komunistët pranojnë popullin suprem, edhe ne prandaj nuk kemi kundërshtim me komunistët". Për krijimin e një fronti të përbashkët lufte kundër okupatorit të huaj delegatët nacionalistë nuk patën kundërshtime, bënë vetëm vërejtje dhe sugjerime. Ata nuk qenë dakord për shembull, që luftëtarët e çetave të organizuara nga PKSh-ja të quheshin partizanë dhe të mbanin në kësulë ylli pesëcepësh me ngjyrë të kuqe - ndryshe nga pjesëtarët e çetave partizane nacionaliste, të cilët do të quheshin jo partizanë por thjeshtë luftëtarë dhe do të mbanin mbi krye shqiponjën dykrenare pa yll. Ramazan Jarani nga ana e tij propozoi që PKSh-ja të mos dilte udhëheqëse e luftës, mbasi sipas tij udhëheqja u takonte nacionalistëve. Për të qetësuar delegatët nacionalistë me propozimin e PKSh-së në krye të koalicionit antifashist u vendos të zgjidhej një këshill i përgjithshëm i lëvizjes NÇL dhe shumicën në përbërjen e këtij këshilli ta kishin nacionalistët. Konferenca e miratoi përbërjen e këshillit të përgjithshëm NÇL me këta nëntë anëtarë: Kamber Qafmolla (kryetar), Mustafa Gjinishi (sekretar), Abaz Kupi, Myslym Peza, Ndoc Çoba, Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Mustafa Xhani, Haxhi Lleshi, Raporti ishte pra 3 komunistë (M. Gjinishi, Y. Dishnica, E. Hoxha) dhe 6 nacionalistë (K. Qafmolla, A. Kupi, M. Peza, N. Çoba, M. Xhani, H. Lleshi). Shkurt, mund të thuhet se arsyeja përse në punimet e Konferencës së Pezës nuk përmendet emri i Ballit Kombëtar, ishte, siç u tha, se deri në shtator të vitit 1942 ai nuk ishte themeluar si organizatë politike.
2. Kur u themelua Balli Kombëtar?
Fill pas Konferencës së Pezës, PKSh-ja ra në dijeni rreth përpjekjeve që po bëheshin për formimin e Ballit Kombëtar. Pa kaluar dy javë disa nga pjesëmarrësit e Konferencës, si për shembull, Ndoc Çoba, Kamber Qafmolla, Ramazan Jarani, Ismail Petrela, të cilët e kishin miratuar programin e Pezës dhe kishin pranuar të merrnin pjesë në Këshillin e përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar njoftuan se nuk e shihnin lëvizjen antifashiste ende të dobishme, po ashtu nuk e shihnin as veten e tyre të përshtatshëm për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të lëvizjes. Pastaj filluan të dëgjoheshin lajme se po ushtroheshin presione për të bindur disa nga pjesëmarrësit e Konferencës që të shkëputeshin nga Fronti Nacional Çlirimtar dhe të rreshtoheshin në një organizatë nacionaliste që ishte në formim e sipër. Kështu, sipas PKSh-së, aty nga mesi i muajit nëntor të vitit 1942, u themelua Balli Kombëtar.
Truri i përpjekjeve që krijoi organizatën nacionaliste ishte Mithat Frashëri. Mbledhja ku u themelua organizata u bë në shtëpinë ku banonte Fuat Dibra, pronë e Faik Shatkut, e cila ndodhet në Rrugën "Qemal Stafa", ku ajo bashkohet me Rrugën "Riza Cerova". Sipas njoftimeve që i vinin PKSh-së nga njerëzit që shërbenin në shtëpinë ku banonte Fuat Dibra, siç është vërtetuar edhe nga burimet e vetë Ballit, ata që e themeluan organizatën nacionaliste qenë: Mithat Frashëri, Fuat Dibra, Ali Këlcyra, Nuredin Vlora, Kol Tromara, Faik Quku dhe Hasan Dosti.

Në një historik të shkurtër mbi Konferencën e Pezës që Halim Begeja mbajti në Kongresin e tretë të BK në Reggio Emilia të Italisë ku ndodhej në mërgim, pesë vjet më vonë, më 1947, ai jep një pasqyrë krejt të ndryshme nga sa kishte folur, sipas procesverbalit të përmendur të mbledhjes historike që u zhvillua më 16 shtator 1942. Nën peshën e disfatës që Balli Kombëtar pësoi nga Fronti Nacional Çlirimtar në trajtesën e vitit 1947 ai flet me plot vrer kundër Konferencës së Pezës. Njoftimet që jep mbi Konferencën e Pezës më 1947 bien në kundërshtim me pohimet e tij të regjistruara në procesverbal më 1942. Megjithatw, ai nuk e zë në gojë kohën se kur u themelua BK. (Botuar në Gazetën "Korrieri", Tiranë, 16 shtator 2004).

Një çerekshekulli më vonë, më 1967 Halim Begeja ka pohuar se BK u themelua pas Konferencës së Pezës. Në mbledhjen solemne që u mbajt në Nju Jork më 26 nëntor 1966, me rastin e themelimit të organizatës "Lidhja e Prizrenit në Mërgim", Halim Begeja, i ftuari i nderit në këtë solemnitet, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve në emër të BK në mërgim, tha ndër të tjera:

"E ndjej veten tepër të gëzuar që në emër të organizatës Balli Kombëtar i flas këtij kongresi kombëtar për Kosovën shqiptare. Si unë, ashtu dhe kryetari i organizatës Balli Kombëtar, z. Kadri Cakrani, të cilin e kemi këtu të pranishëm, si dhe në emër të të gjithë anëtarëve të organizatës tonë... i urojmë këtij kongresi punë të mbarë për triumfin e lirimit të Kosovës shqiptare nga thundra sllave...".

Pas disa evokimeve historike kushtuar Kosovës martire, H. Begeja u kthye te Balli Kombëtar.
"Lidhja e Prizrenit është flaka e lirisë, është rruga që të çon drejt idealeve të shenjta për Shqipërinë etnike, është rruga në të cilën ka hyrë organizata Balli Kombëtar, e cila e para ndër të parat dha kushtrimin e luftës për liri, atëherë kur më 29 shtator 1942 u formua për herën e parë". (Kongresi i Parë i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, Nju Jork, November 26-27, 1967, ff. 13-14).

Pavarësisht se pohimi i Halim Begejës se "BK është e para ndër të parat që dha kushtrimin e luftës për liri", pohimi i tij nuk eshte i vertete, mbasi rezistenca e armatosur antifashiste në Shqipëri kishte filluar para 29 shtatorit 1942 - me rëndësi është pohimi i tij se BK u themelua pas Konferencës së Pezës.

Në lidhje me kohën kur u themelua BK, kemi dhe një dëshmi tjetër. Në kujtimet e veta Sejfi Vllamasi (Ballafaqime politike në Shqipëri. 1897-1942, Tiranë, 1995), një nga personalitetet e lëvizjes demokratike shqiptare të periudhës midis dy luftave botërore, na jep një njoftim, i cili në vështrim të parë duket se nuk përmban ndonjë peshë në problemin që po trajtojmë. Në fund të veprës së tij kur vjen te viti 1942, pasi na vë në dijeni se Fuat Dibra ishte kthyer nga Stambolli dhe pasi na njofton se në muajin qershor (1942 - K.F.) së bashku me Fuat Dibrën, Kol Tromarën e Fazlli Frashërin kishte shkuar në Korçë dhe në Kolonjë, pasi u kthye në Tiranë, ai vazhdon: "Një ditë kam qenë në shtëpi të Fuat Dibrës, ku pak më vonë erdhi edhe Mithat Frashëri. Kur ika, bashkë me mua doli edhe Mithati, i cili duke kaluar poshtë nga rruga e Koço Kotës (sot rruga "Qemal Stafa - K.F.) m'u afrua dhe me një zë të ulët më tha: Sejfi, hajde të formojmë një grup për një aktivitet të fshehtë".

Nuk po zgjatem në përgjigjen që i dha Sejfi Vllamasi, mbasi janë justifikime me të cilat ai motivon arsyen përse hë për hë nuk pranoi të merrte pjesë në themelimin e një organizate të fshehtë nacionaliste, me të cilën nënkuptohej se ishte fjala për Ballin Kombëtar. (S. Vllamasi. Po aty, f. 331).
Sikurse shihet, në lidhje me themelimin e BK ka një mospërputhje prej disa javësh midis datës 29 shtator, që pohon Halim Begeja dhe mesit të muajit nëntor, që ka shpallur PKSh-ja. Është një çështje që mund të diskutohet. Shpjegimi më i pranueshëm duhet të jetë ky: themelimi i një organizate politike nuk kryhet brenda një dite. Themelimi është një proces, i cili përfshin disa javë, ndoshta dhe disa muaj. Me sa dimë ne, procesi i themelimit të BK filloi menjëherë pas Konferencës së Pezës dhe përfundoi pas disa javësh. Data 29 shtator 1942 ndoshta shënon fillimin e procesit, fillimin e bisedimeve me protagonistët kryesorë të organizatës, të cilët pas gjashtë javësh çuan në mesin e nëntorit në kushtetuimin e saj si parti.
3. Pretendimet e krerëve
ballistë mbi themelimin
e organizatës

Njoftimi se BK u themelua pas Konferencës së Pezës, pra pas 16 shtatorit 1942, më vonë nuk u pëlqeu krerëve që formuan organizatën nacionaliste. Kjo për arsye se, krijimi i frontit për çlirimin nacional të Shqipërisë nga pushtimi fashist italian duhej të ishte vepër e nacionalistëve shqiptarë dhe jo e komunistëve, të cilët sipas tyre, ishin në shërbim të Internacionales Komuniste. Është pikërisht kjo brengë që gërryen ndërgjegjen e nacionalistëve, e cila spikat në shkrimin e përmendur të Halim Begejës, shkruar më 1947. Për të rregulluar këtë, sipas tyre, non sens, disa nga udhëheqësit e BK ndoqën rrugën që zbatojnë zakonisht falsifikatorët e historisë. Ata, ndryshe nga H. Begeja, shpresuan se punët do të viheshin në rregull po të ndryshohej data e themelimit të BK - ta vendosnin themelimin e saj para Konferencës së Pezës. Ata shpresonin se po ta avanconin datën do të rifitonin sadopak prestigjin që ata mendonin se u takonte si organizatë nacionaliste. Por, në lidhje me datën imagjinare se në ç'kohë para Konferencës së Pezës u themelua BK, as krerët e organizatës, as historianët ballistë të ditëve tona nuk janë në unison midis tyre. Kjo për arsye se tezat e parashtruara deri sot prej tyre janë, sikurse do të shihet, të hamendësuara.

(Vijon nesër)

Nga Kristo Frashëri

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.