gototopgototop
Aktual:
Wednesday, 12 December 2012 11:38   
“Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu”
Histori

Ballina e LibritNjë libër i ri me kujtime historike:“Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu”, botimet “Naimi, Tiranë 2012.

Nga republika në mbretëri: historia e panjohur e Zogut për nënshtrimin e Shkodrës

 

Duke qenë një vëzhgues i hollë i jetës dhe politikës shqiptare, duke jetuar prej disa dekadash në Shqipëri, kryesisht në Shkodër dhe rrethinat malore, në mjediset e klerit katolik dhe në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë, autori i librit “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu”, Camillo Libardi, na jep një tablo të gjallë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, duke u fokusuar në stilin shqiptar të qeverisjes dhe të politikanëve të saj. Sipas tij, qysh në atë kohë, politika shqiptare nuk ka patur lidhje me mirëqeverisjen por me sundimin me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke vazhduar traditën e qeverisjes otomane. Libri përshkruan me hollësi të gjitha makinacionet dhe protagonistët e asaj kohe për të nënshtruar Veriun shqiptar. Natyrisht, vendin kryesor në këto kujtime e zë Ahmet Zogu, rruga që ai imponoi për t’u kurorëzuar Mbret.

Të ashtuquajtur krerë, bajraktarë apo klerikët, intelektualët më në zë  të Shqipërisë së Veriut, duke nisur me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni i Mirditës, dom Lazër Shanto, Rexhep Shala, Kazazët, Bumçët, Bernardin Shllaku, Ahmet Frashëri, Lazër Mjeda, Musa Juka, Gjon Gazulli e plot figura të tjera të kohës janë pjesë e dëshmisë interesante të Camillo Libardit.

Në këtë libër, i sapopublikuar për herë të parë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Naimi”, përshkruhen me detaje ngjarje të panjohura historike si rebelimet antizogiste në Veri të vendit, reprezaljet e Zogut në Shkodër, Dukagjin dhe Temal, lufta e Zogut kundër opozitës, ekzistenca e të burgosurve politikë apo e vrasjeve politike. Gjithashtu, në libër jepen dëshmi të reja për atentatin kundër Zogut në Vjenë, për vrasjen e Bajram Currit, rolin e madh që kanë patur gazetat e asaj kohe si “Ora e maleve” apo “Hylli i Dritës”, ashtu si jepen dëshmi me interes për raportet e religjionit, fesë me politikën dhe regjimin.

Ja, një fragment se si e e përshkruan autorit atë atmosferë:

“Që nga ajo ditë (pas shpalljes Mbret të Ahmet Zogut-shën. i botuesit) e më pas bajraktarët, krerët, nënkryetarët dhe personat me influencë, qetësisht, duke ndenjur në shtëpitë e tyre, duke mos bërë asgjë për të ruajtur qetësinë publike, duke e ngritur në qiell regjimin aktual, duke qeshur me njerëzit që vriteshin apo vidheshin, të rënduar nga ligësitë rreth tyre, merrnin në rehati të madhe napolonat e muajit. Natyrisht, nëse dikush ofendohej, faji nuk ishte i qeverisë, po i të fyerit, i cili, sido qëqë tëq të ishte shkaku, ndiqej nga hakmarrja e drejtë e fyesit. Kështu, i padrejti bëhej i drejtë, e keqja njihej si e mirë, hakmarrjet më të tmerrshme në ekzekutime të drejtësisë publike. I ishte vënë vulë keqbërjes, ishte shenjtëruar krimi, imoraliteti, ishte shkatërruar besimi. Shihej vetëm turp njerëzor”.

Libri i autorit italian Camillo Libardi “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu” (Come si é fatto re d'Albania Ahmet Zogu) është botuar në gjuhën italiane në maj të vitit 1940, afro një vit pasi Italia fashiste e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë, më 7 prill 1939, ndërkohë që po në këtë datë, pra, atë “të premte të zezë”, mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, u largua fshehurazi dhe, siç thotë në kujtimet e tij një dëshmitar protagonist i asaj kohe, “e la Shqipërinë më parë se i pari italian që shkeli në truallin e vatrës tonë”. Në gjuhën shqipe ky libër me kujtime historike botohet për herë të parë.

Me sa duket, siç e konfirmon edhe autori në shënimin e vet për lexuesin italian, libri, ndonëse duket i shkruar shumë kohë më parë, është publikuar si një guide historike në kuadër të interesimit italian për “vendin e shqiponjave”. Camillo Libardi shkruan kështu në shënimin sqarues që mban datën 7 maj 1940: “Pas Luftës së Dytë Botërore, Italia trashëgoi nga Austro-Hungaria protektoratin mbi katolikët shqiptarë. Ahmet Zogu, pasi tradhtoi Serbinë, u hodh në krahët e Duçes tonë e, kështu, italianët vërshuan në Shqipëri dhe u gjendën përballë një qeverie dhe një populli që nuk e njihnin. Zoti Armando Armeo, konsull i Italisë në Shkodër, shprehu dëshirën që të bëja një përshkrim, në mënyrë që të merrte vesh se në ç’ujëra do të notonte. E paraqita dhe është ky, me përjashtim të përfundimit. Nuk pretendoj që të lavdërohet nga askush, vetëm të njihet e vërteta...”.

Në fakt, libri “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu” përmban kujtimet e autorit gjatë shërbimit të tij në krye të Kryqit të Kuq Italian që vepronte në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar. Autori e thotë vetë në libër se është larguar nga Shqipëria në vitin 1933. Sipas botuesit Naim Zoto, Camillo Libardi  ka shkruar edhe libra të tjerë për Shqipërinë si  “Pesëmbëdhjetë bisedat e Shenjtit Sh. Leonard prej Porto-Maurizio të kushtuara Saktamentit Hyjnor, të përkthyera në shqip nga një frat O.M. Shkodër”, “Lëvizjet e para patriotike shqiptare”, “Misionari Shqiptar në fushën e betejës”.

Skeda e librit:

 

Autor: Camillo Libardi

Titulli: SI U BË MBRET I SHQIPËRISË AHMET ZOGU

Gjinia: Kujtime historike: 1918 - 1940

Përktheu: Valbona Jakova Gurra

Redaktor: Naim Zoto

ISBN: 978-9928-109-15-6

Çmimi: 500 lekë

Botues: “Naimi” - Shtëpi botuese dhe studio letrare

www.botimenaimi.com

This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.