gototopgototop
Aktual:
Saturday, 09 October 2010 12:56   
"Si takova në burg Nexhmije Hoxhën"
Dossier

Sulo Gradeci

Sot në 'Gazetën Shqiptare' po botojmë pjesën e tretë të marrë nga ditari i burgut i Sulo Gradecit, shefit të sigurisë së Enver Hoxhës për 30 vjet, kujtime të cilat janë botuar nën titullin "I burgosuri politik", dhe janë hedhur në treg nga shtëpia e botimeve "Vllamasi". Takimi i Parë me Nexhmije Hoxhën në burg,

ardhja në burg e Vilson Ahmetit e Fatos Nanos dhe vendosja e tij në qelinë nr.5, si kujton ai 16 tetorin, ditën e madhe për të, kur lindi shefi i tij, akuzat për Sulo Gradecin dhe shtyrjet e sorollatjet e lodhshme deri ditën e gjykimit ku Sulo Gradeci u shpall i pafajshëm... - Vijon nga numri
i djeshëm -
24 qershor 1993, e enjte
Një takim dhe një lexim interviste. Nuk e kam pasur shumë të vështirë të takoj Nexhmije Hoxhën, por sot e pashë në dhomën ku më parë ishte Përparimi, ulur në një stol. "- Pse nuk e takon Nexhmijen", - më tha Gramozi. "- Nuk kam leje, ia ktheva. Ka rregulla. Dhe rregullat janë njësoj për të gjithë". " - Takoje, takoje...!" Ndoshta, ndonjërit, emri Nexhmije Hoxha, nuk i thotë kushedi se çfarë, sidomos këtu në burg, por, një grua, ky emër më kujton vitet e luftës e të punës, vitet, ku ajo ka lozur një rol jo të parëndësishëm si luftëtare e orëve të para për liri dhe si bashkëshorte e Enver Hoxhës. Një njeri, një grua të tillë, të paktën, aq sa lejohet nuk mund ta lë pa i dhënë dorën e respektit e të miqësisë. E kam takuar edhe herë tjetër, por fare kalimthi.
Ndryshe sot. Për herë të parë ballë për ballë: Me shumë kujdes e matëm shoku-shoqen, duke llogaritur vetëtimthi se sa i dobishëm është njëri për tjetrin këtu në burg, në fund të fundit, sikur asnjë prej këtyre mendimeve të mos qëndrojë, në arritjen e një takimi të dëshiruar prej kohësh. Zakonisht, superioriteti i njërit kuptohet është këtu. Pse jo edhe këtu? Fakti që Nexhmije Hoxha tregoi dhe e vendosi veten në dispozicion të mbrojtjes së Enver Hoxhës, kjo nuk është pak. I dhashë dorën. "- Si je?..."
"- Shumë mirë, si në burg, ku ka më mirë..." Qeshi me qesëndi.
"- Qenke mirë me shëndet... Mbahu e fortë! Po fëmijët si janë?"
"- Valbona me Shpatin sot ose nesër do t'i takoj, janë kthyer, kurse Dritani, jo". "- Po ti, a i mbarove hetimet?" - më pyeti.
"- Po mbush një vit; sa më caktojnë hetues, nuk kalojnë disa ditë dhe caktojnë një tjetër. Pesë-gjashtë hetues kam njohur, por asnjëri prej tyre, s'më ka bërë asnjë pyetje." ... Vetëm duke heshtur, ndenja pak në pritje, në pritje, për ta vazhduar bisedën, por as ajo, as unë nuk e vazhduam bisedën. Ishim në dorën e mbikqyrjes, në dorën e mikrodëgjuesve. I shtrënguam dorën njëri-tjetrint me urimin "mos u mërzit" dhe u ndamë.
9 korrik 1993, e premte
Çudi, si kalon koha! Sot hyra në vitin e 2-të të arrestimit: shkelje e padëgjuar e ligjeve, shkelje e detyrës që nuk do ta pranonte as qeveria më e dobët. Protestat e mia, të avokatit nuk kanë sjellë asgjë të re. Asnjë përgjigje. Ata që bëjnë lojën e madhe, nuk mund të kënaqen me cikërrima të tilla si puna ime. Por u duhet provuar atyre, se edhe në këtë kohë të molepsur e të babëzitur, mund të tregosh se di të kërkosh të drejtën. Ja ky mendim nuk më lë të qetë: I vetëm, pa pasur mbështetje drejtësinë dhe i vetëm përkrah ligjit kundër "drejtësisë".
Më tha: "Edhe çështja e hetimit dhe e gjykimit të Aranit Çelës do të shkëputet nga bllokmenët". Mundet. "Tani do të fillojnë të kërcasin "bubullimat" nga retë e dendësuara të dyshimeve, të spekulimeve...", thashë me vete. Është një gjë serioze që do ta shtjelloj e do ta sqaroj më poshtë. Një ditë do të vijë edhe dita e gjykimit tim. Shenjat e urrejtjes ndaj personit tim janë fare të qarta. Dëshmitarët dihen, janë bërë të njohur nëpërmjet gazetave. Dashamirë dhe dashakeqë. Të dytëve do t'ua provoj se kanë të drejtë të parët. Besoj se në radhën e dëshmitarëve do të jenë Hekuran Isai (Sekretar i KQ që nga koha, kur Enver Hoxha pati një infarkt të rëndë), Haxhi Kroi, i autorizuari i vetëm për të tërhequr fondet nga financa e KQ, gjithnjë me një firmë të njërit prej sekretarëve të KQ. Pas këtyre veprimeve, i merrja unë përsëri me firmë dhe ia dërgoja ambasadës në Romë e në Paris. Pas gjashtë muajsh mbyllej llogaria e shpenzimeve për Enver Hoxhën. Çdo shpenzim kryhej nga 2-3 persona. Faturat firmoseshin nga këta persona. Ishte një komision i posaçëm që verifikonte deri në detajet më të vogla çdo shpenzim, pra, çdo faturë të krahasuar me atë ç'ka ishte blerë. Më në fund, përpilohej një procesverbal intim, i cili firmosej nga H. Keta, D. Pinderi, unë, Dashi, H. Kroi, J. Mersini, M. Çaka, Y. Beleri e ndonjë tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet. Në këtë proces-verbal hidhte firmën edhe Sekretari i KQ. Dokumentin përfundimtar e mbante në arkiv H.Kroi.
Më duhet të sqaroj se pas vitit 1980, kjo praktikë përballohej nga Ministria e Shëndetësisë, pasi gjendja e Enver Hoxhës rëndohej e përkeqësohej çdo ditë dhe ishte e domosdoshme të bliheshin aparatura dhe medikamente bashkëkohore. Këtë gjë e bënte Ll. Ziçishti me porosi të M.Shehut dhe H. Kapos. Unë, sot për sot, nuk e di ku kanë përfunduar këto dokumente, por asnjë prej tyre nuk është akuzues, apo korruptues... Edhe nëse pasardhësit nuk do të duan të ballafaqohen me të vërtetën, duke pretenduar se "s'ka dokumente", dokumentet më të sakta, që mirëpriten me sa thashë më lart, janë njerëzit që kanë firmosur dhe vulosur nën përgjegjësinë e tyre. Pasardhësit janë të lutur të verifikojnë çdo gjë në të cilën dyshojnë. Nuk do të doja të zhgënjehesha as nga A. A., i cili jo vetëm ishte anëtar i ekipit mjekësor, por u emërua edhe ministër pas shkarkimit nga detyra të Ll. Ziçishtit. Përpara fakteve, përpara dokumenteve, padrejtësia kapitullon dhe nuk mund të fitojë asgjë. E drejta mund të zhduket, por ajo del përsëri në sipërfaqe. "E drejta zhytet, por nuk mbytet". Mirënjohës për nderim u mbetem rregullave që zbatoheshin deri në një, karakterit, moralit tim. Veç një pyetje i nisur me ato çka lexoj në shtyp e kam:A nuk duhet të bëhen ziliqarë këta pritës e përcjellës të sotëm të Drejtorisë së Pritjes? Nga një lartësi e tillë e zbatimit të detyrës, funksionarët e sotëm duhet të shikojnë mirë "milingonat" që lëvrijnë ditën dhe natën për të zhvatur.
30 korrik 1993, e premte
Ajo që parandjeja ndodhi sot. Fatos Nanon e sollën në qelinë nr. 5. Dreqi e merr vesh se ç'po bëhet! Mitingu i sotëm i socialistëve do të jetë një demostrim i fuqishëm përkundër lojës inkuizitore, asaj loje që fanitet për pak kohë dhe zhduket në rrugën e ngatërruar të jetës. Sa e sa figura të mistershme do të mbeten të pazbuluara deri në fund! Kaq për sot. Për nga thelbi i mendimit, nënteksti i sotëm është nga më të fuqishmit.
5 gusht 1993, e enjte
Mot i kthjellët. Zagushi. Qelia dhe unë nuk i përshtatemi dot kësaj vape. Më ndihmon lëngu i thanës. Herë pas here e kthej nga një gllënkë. Pleqëria e qelive: Araniti, Qirjakua, Rita, Manushi, Hekurani. Kalojnë pranë qelisë time pa kthyer kokën. Nuk i bëj me faj. Ky është rregull. Fatos Nanon e mbajnë më të izoluar. Unë vetë s'kam dalë të ajrosem. Me siguri që më kanë pritur pëllumbat, por ja që edhe ata ndëshkohen nga gardianët…! Lexova 82 faqet e para të romanit interesant të Faik Ballancës "Nomeja e fundit". Faiku më duket se ka qenë i përndjekur?
2 shtator 1993, e enjte
Më e mira e natës që kaloi: Një freski e ëmbël, por që më nxiti të hedh batanien e parë. Mushkëritë m'u mbushën me ajër të pastër. "Ashtu?" "- Po, po, por më vjen keq që mbante pak erë dhe kjo më bezdisi." S'më kishte shkuar në mendje për dhuratën që do të merrja sot. Drejtori i burgut më dha Kuranin. " - Në vend të librave të tjera, lexo kuranin, se do të të ndihmojë shumë… Pastaj aty do të gjesh edhe Abaz Aliun që ka zënë vend në Tomorr…"E fillova që sot leximin e tij, sepse librat e tjerë i kanë marrë dhe i kanë bllokuar.
9 shtator 1993, e enjte
Dyfish i rrethuar: policë dhe mjekë. Nejse, më duhet të rri shtrirë në krevat. Asnjë burrë në botë nuk i respekton rregullat më shumë se unë, kur është fjala për shëndetin. Erdhi Përparimi dhe më takoi. M'u bë qejfi.
31 tetor 1993, e diel
Si zakonisht, ditët e diela, na lënë që të ngrihemi më vonë nga gjumi... Drejtësia ëndërron për kohët e lashta, kur njerëzit besonin akoma tek ajo, ajo vë mish e forcohet në emër të padrejtësisë. Sapo sollën në një qeli Vilson Ahmetin, i dënuar me dy vjet privim lirie për skandalin e francezit Arsidi.
4 nëntor 1993, e mërkurë
Zërin e hoxhës e dëgjoj pothuaj çdo mëngjes. Sapo nis ai të këndojë, e kuptoj se sa është ora. Erdhi një grup tjetër nga Komiteti Evropian i shoqëruar nga ministri i brendshëm. Në qelinë time nuk u futën. Ata, si zakonisht, pyesin, të burgosurit përgjigjen, por çfarë përkthejnë përkthyesit e instruktuar?
Ndërsa Përparimi (Sanxhaku) ka shkuar në Itali për çështjen e Nanos. Sigurisht, me prokurorin e ri. Pastaj, siç më thanë, do të shkojë në Tanzani tek ish ambasadori italian në Shqipëri, më pas tek Ajdini në Zvicër. Turne i gjatë për të, kohë e gjatë për mua në qeli. Bllokmenët i ndanë përfundimisht në dy grupe:
1) Qiriako, Prokopi, Besniku, Muhua, Aredini, Llambi, 2) Ramizi, Adili, Hekurani, Rita, Simoni, Lenka. Unë qëndroj i vetëm, jashtë bllokut, jashtë bllokmenëve. Sot në burg sollën Ilir Hotin. E strehuan në një qeli bashkë me Ritën. Me sa duket po zbatojnë teorinë kineze për t'i kaluar, një nga një, në shkollën e edukimit.
30 nëntor 1993, e martë
E dymbëdhjeta ditë që mbetem i shtruar në spital. Agimi ishte më keq se asnjëherë. E ndihmoi polici. I erdha edhe unë në ndihmë. Infermierja asnjë përgjigje për t'i dhënë ndonjë ilaç. Justifikohej me mendimin se "mjeku nuk ka shënuar asgjë". Mbase ka të drejtë, por a nuk mund të konsultohej me një mjek tjetër?
18 janar 1994, e martë
Pasdite erdhi hetuesi. Pertef Hasani. Më kërkoi të takoheshim pa avokat, por pa mbajtur procesverbal. Pranova. Më pyeti për shëndetin. "- Më thuaj për çdo shqetësim", më tha. Pasi biseduam gjatë më premtoi se "deri në fund të muajit janar do t'i japim fund hetimeve. Do të kemi në dispozicion dy ekspertë. Emrat e tyre nuk m'i tregoi. "Unë, avokati, ti dhe dëshmitarët Xh. B, Gëzim Dabulla, do të kemi një ballafaqim". Pres kur të vijnë.
8 mars 1994, e martë
Mbusha 20 muaj në qeli, ose 605 ditë. Ku duan të dalin këta gjykatës, prokurorë, administratorë? Kënaqësia e tyre mbetet e fshehtë, sepse kur të ballafaqohem me ta do të mësojnë kush jam unë, cili kam qenë dhe cilët janë ata! Çfarë nuk kam parë dhe çfarë nuk kam ndier në këtë mjedis të burgut! Bota e kriminelëve, e hajdutëve, e vrasësve, kontrabandistëve është këtu. Shpalosen një sërë dramash të hapura, të nënkuptuara, të heshtura, shpalosen vdekje të të pafajshmëve, pre të kompromiseve, simbole të shkatërrimit e të pafuqishmërisë, aventura të pabesueshme, sensacionale, humbje të tmerrshme, turpe të padëgjuara... Zgjodha disa, por ka aq shumë mënyra për t'i zgjedhur, për t'i numëruar. Një pjesë e vogël është mbi ujë, pjesa më e madhe është nën ujë, si puna e ajzbergut.
10 mars 1994, e enjte
Në qelinë nr. 3 (më e vogla nga të gjitha) u shtua edhe një tjetër: Rita Marko. Sikur u shtërnguam shumë, nuk do të ngopemi as me ajër.
3 prill 1994, e diel
Fatos Nanon e dënuan 14 vjet heqje lirie. Pa dyshim, jo pa fakte. Sokrat Plaka u la i lirë në sallën e gjyqit. E vërteta fitoi, mbi skëterrën që përjetoi padrejtësisht. Ndërsa unë vazhdoj të qëndroj në qeli pa vendim të prokurorit, i cili ka të drejtë të zgjasë afatin. Djall-o punë! Gjithçka e tyre është e jashtëligjshme dhe e paraqesin si të ligjshme. Sikur në të qindën e sekondës të apolitizoheshin, në moment do të më linin të lirë në jetën time.
21 prill 1994, e enjte
…Pasdite e të ngarkuarit të çështjes "Gradeci". E ndieja veten të mbrojtur nga dokumentet që nuk i lëviz as topi 42. Nëse hetuesi donte të dilte te vetja (të deformonte realitetin), unë doja të delja tek e imja, sepse kjo përputhet me zyrtaren, me të vërtetën. …U bë debat i madh për faturat e prapambetura të vitit 1986. Në procesverbal thuhet shprehimisht kështu: "Faturat, pasi u panë një për një nga Drita Bejko, Dashnor Andoni, Luan Kuçi, Sulo Gradeci dhe Pavllo Milo rezultoi se, ato pasi u panë se përputheshin me materialet (faturat) e konsumit, u asgjësuan dhe ato iu dorëzuan inventarizuesit Ministrisë së Shëndetsisë A. A. në një zarf të veçantë". Një dokument kaq i rregullt ia "prishi" fytyrën prokurorit. U përpoq të futej e të delte në gjëra të pakuptimta, por unë nuk kurseva asnjë rregullsi. Nuk e pati të lehtë të qetësohej, kështu që çështja mbeti të rihapet e të diskutohet nesër.
29 prill 1994, e premte
Dje, unë dhe avokati, këmbëngulëm që të më vinin në dispozicion dëshmitë e depozituara në adresën time. Do të doja të vinte sërish edhe E. G, i cili në bisedë çapitet me vështirësi dhe i zënë në hall. Deshi s'deshi, ai aludon dhe më akuzon:
1- Për 33.000 $ të tërhequr dhe të mbylljes së llogarisë nga Ministria e Shëndetsisë në qershor të vitit 1986 (fatura të prapambetura 1984-1985)! 2- Shuma 650.600 $ që është harxhuar për ekipin mjekësor në plotësimin e detyrave për shëndetin e Enver Hoxhës. (Edhe kjo shifër është fryrë, pavarësisht se në këtë shumë përfshihen aparaturat e blera dhe që gjenden në spitale (e nënvizoj se këto gjenden në spitale), në pavione: Të kardiokirurgjisë, diabetiologjisë, alergjisë, radio-ndërlidhje, ambulancë, aparatura e komplikuar për dializën, eko për zemrën… E të tjera e të tjera. Çdo shpenzim të dokumentuar e kam në detaje. Përpara dokumenteve do të tërhiqen, s'kanë rrugë tjetër. Të gjitha këto, që i kam shënuar edhe në një ditë tjetër, janë të barabarta me tre operacione zemre të kryera nga pushtetarët e sotëm. Në qoftë se Enver Hoxha do të kurohej jashtë shtetit, shpenzimet do të ishin dy tri herë më të mëdha, madje, aparaturat ekzistuese nuk do t'i kishim edhe sot në institucionet tona shëndetsore. Diçka që unë e kam parasysh, por duhet ta kenë edhe ata që duan të më bëjnë mua përgjegjës: Propozimet për të bërë këto blerje, pra këto shpenzime, i bënte mjeku personal, përkatësisht ekipi: prof. Petrit Gaçe, Isuf Kalo, Niko Shurbani, dhe ministri i Shëndetsisë, Llambi Ziçishti, prof. Fejzi Hoxha, drejtori i klinikës speciale Pavllo Milo. Atëherë ç'hyj unë në këtë mes? Në këtë mes mua më fut E. B. dhe ata që kanë për detyrë të manipulojnë, të më ndëshkojnë mua. Nuk më ka tradhëtuar kujtesa për dy deklarata të dr. P. Milos: "Kam firmosur në mirëbesim". "Këto që thotë Sulo Gradeci janë të vërteta dhe procesverbalet kanë edhe firmën time të hedhur, sipas rregullit bashkë me anëtarët e tjerë të ekipit mjekësor". Këtë pohim, sipas hetuesit, e ka bërë edhe dr. Ajli Alushani. Kundërrelacionet janë vetëm bllofa. Letrat e kundërshtarëve, letra bakalli. Nëse ka drejtësi, bllofaxhinjtë dënohen rëndë. "Kush kërkon t'i bëjë varrin shokut, bie vetë brenda!"
5 korrik 1994, e martë
Në orën 8.³º më çuan në gjykatë. Aty për aty u mor vendimi që "çështja Sulo Gradeci", nga gjykata civile të kalojë në gjykatën ushtarake.Gjykatësja Fatmira Laska deklaroi se që sot, gjykata do të zhvillojë seancën e parë. Prokuror ishte Njazi Seferi. Çuditërisht, kishin ardhur edhe dëshmitarët: dr. B. Preza, dr. K. Niksiqi e të tjerë. Nuk i njihja të gjithë. Ç'të jetë kjo befasi? Pse nuk më njoftuan më parë? E qetësova veten dhe tani jam i gatshëm të përballoj edhe ligësinë më të madhe. Hëpërhë, këtë le ta quaj hamendje.
7 tetor 1994, e premte
E sotmja, është një ditë e shumëpritur prej meje. Më në fund, Gjykata ushatarke me kryetare z. Fatmira Laskaj dha vendimin: "Katër vjet heqje lirie! "Akuza: Shpërdorim i postit zyrtar!" I ndodhur para një mëdyshje e mblodha veten. U tha, u dha kjo akuzë (shpërdorim posti, i padrejtë natyrisht) për të justifikuar mbajtjen time në burg, për një kohë kaq të gjatë. Rregullorja, vendimet, urdhrat nuk më ngarkonin, as nuk më caktonin kompetenca që të më vinin në kundërshtim me ligjet në fuqi. Nuk kam për t'i harruar përcaktimet vendimore dhe tonin e prerë me të cilin gjykatsja e hodhi poshtë pretencën bajate dhe mediokre të prokurorit Njazi Seferi. Ai ishte i politizuar dhe instrukturuar për të më ekspozuar, fajësuar dhe dënuar maksimalisht. Si njeri i investuar për këtë, kërkoi 10 vjet heqje lirie, mbështetur në nenin 62 dhe 106, sidomos në akt-akuzën e përgatitur nga Petref Hamza. Që nga ajo ditë që mora në dorë aktakuzën, vendosa të merresha me të seriozisht për të depërtuar edhe përmes rreshtave. Prokurori sipas asaj (akt-akuzës) ishte një politikan "i vërtetë" që tjetër gjë mendonte, tjetër gjë shkruante dhe tjetër gjë bënte. Për mendimin tim, niveli "i ligjërimit" të tij ishte niveli i thashethemeve në një kafene burrash, apo grash. Kapardisjen, me shkallë të lartë debiliteti, e shprehu edhe në paaftësinë e tij për të lexuar atë që ia kishte shkruar tjetër kush. Përpara pyetjeve të avokatit, mbeti keq, në gjendje hutimi e pasigurie. Enciklikat e E. G. të formuluara në procesverbalin përmbyllës ishin bajate, të shtrydhura të një truri të sëmurë. Për këtë arsye u dorëzua: Pranoi falsitetin e një çeku me D. Bejkon, mbylljen e pasaktë të një llogarie nga ana e tij dhe e dëshmitarëve të tij, por pranoi një llogari që kishte të bënte me Ll. Bitën. Problem për të, jo për mua. Pretenca dhe këmbëngulja partiake e prokurorit i mërziti të pranishmit, por i lehtësoi vendimi i gjykatëses. Unë, thashë, prerë se "mungojnë argumentet për shpërdorim posti."
13 tetor 1994,
e enjte
Gjatë ditës së sotme i dhashë dorën e fundit ankesës për akuzën e shpërdorimit zyrtar dhe ia dërgova gjykatës së Apelit. Më thanë se pala e akuzës do të bëjë rekurs. P. Hamzai dhe E. Baxholli nuk më ndahen. Me ta është bashkuar edhe prokurori Njazi Seferi. S'kam përse ta vras mëndjen. Zinxhiri i tyre do të këputet. Jam i sigurt se nuk do të gëzohen më tutje. Kam aq forcë karakteri dhe besimi sa që ata do të jenë vrima e fundit e kavallit.
16 tetor 1994, e diel
"Kryetari i i Gjykatës së lartë ka shkuar në Amerikë. Besoj se do të shtyhet gjyqi!" Kaq më tha Përparimi. I kërkova rekursin e prokurorit. "- Nuk lejohet!", ma ktheu. Unë i kuptoj absurditetet e shkallëve të procesit gjyqësor, prandaj zura të mendoj të kundërtën. Në fakt, zura të mendoj për 16 tetorin, ditëlindjen e Enver Hoxhës. Sa shumë kam qenë i dhënë pas kësaj dite! Se mos unë vetëm, por i gjithë populli. Edhe sot e kujtojnë, por në heshtje. Në qoftë se fjala dhe vepra e udhëheqësit është pasqyra më e vërtetë e shpirtit të tij, është e drejtë..., atëherë për atë çka bërë ai, Enver Hoxha, përfaqëson kredon e një njeriu të pazëvendësueshëm. Dhe të një jete heroike. Kudo, në historinë pesëdhjetëvjeçare është përderdhur fjala e tij e mençur. Ai i ka jetuar ato, ka jetuar ai vetë nëpër to, në veprën madhështore të shqiptarëve. Koha do ta vërtetojë dashamirësinë aktive. Enver Hoxha ishte dhe do të mbetet një Ante, që i merr fuqitë nga trojet shqiptare. Ai si gjithmonë, edhe sot, na paraqitet si një lis i moçëm, por me rrënjë të ngulur mirë në më të thellat e tokës shqiptare. Fjalët dhe veprën e tij nuk do ta marrë kurrë era. Ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot, si në ditët dhe shekujt që do të vijnë. Si sot u lind Enver Hoxha."Zotërinj, ju ftoj të ngriheni më këmbë, si sot u lind Enver Hoxha!"
14 nëntor 1994, e hënë
I dorëzova avokatit pretencën e prokurorit. Nënvizova tre elementë: E para, injoron faktin llidhur me shpenzimet, sidomos me dokumentacionin kontabël për të cilin është ndjekur një rrugë specifike. E dyta, injoron, ose shtrembëron provat e shkruara me të cilat përjashtohet katërcipërisht çdo dyshim përvetësimi nga ana ime. E treta, dyshimet, supozimet i konsideron realitete. Sigurisht, me këto spekulime nuk pajtohem kurrë. Do t'i mbledh më mirë faktet, argumentet, radhë-radhë, fije e për pe. Injorimet e qëllimshme do t'i hedh pas krahëve. Kjo që bëhet është një luftë e pabarabartë, por unë jam i përgatitur për të. Le të bëhen bashkë prokurori e gjykatësi, unë kam me vete të vërtetën që më thotë: "Fol, mos u druaj!" Kam zgjedhur lirinë, jo qelinë.
20 nëntor 1994, e diel
I pagjumë, i lodhur nga errësira (pa drita), mora zemër për të shkruar disa rreshta. U ngrita më këmbë, pashë me vëmendje shndërritjet e një llambe elektrike në rrugë (në rrugë paskish drita) dhe u shtriva përsëri. Miqtë e dhomës flenë. Rita gërret. Ç'kohë dreqi që bën, aty prishet, aty ndreqet. "- A e di , kush është futur me parë në burg, ti, apo Hekurani?, pyeti polici Rita Markon. "- Unë", ia kthehu ai. Pastaj e qepi gojën. Iku pa përshëndetur. "- Mos di gjë Pashku për ndonjë amnisti...?"
16 shkurt 1995, e enjte
Rreth orës 10ºº Ritën e lajmëruan se do ta çojnë në Tepelenë. Më shprehu keqardhje dhe dhimbje dhe unë, po ashtu. Ç'barrë e rëndë për këtë njeri me moshë të madhe dhe me një koleksion sëmundjesh! Njëkohësisht me të larguan nga ky sektor edhe Aranit Çelën, Rrapi Minon. Shkuan në "Tepelenë, rrëzë malit", shkuan në Tepelenën "e rrahur" nga e era dhe plumbat. Përsëri i vetëm në qeli. Po tani, kush e ka radhën?
3 prill 1995, e hënë
Petrit Fusha para meje, Sulo Gradeci para Petrit Fushës.
Më komunikoi një vendim të marrë nga Gjykata e Apelit: "Prishje e vendimit për përvetësim". Me sa kuptova kërkohej:a) Verifikimi i faturave dhe b) Firma e llogaritares. Ndërsa ngulmohej "për shpërdorimin e postit". Akuza e parë ra, do të bjerë edhe dyta. Në qoftë se nuk do të bjerë edhe akuza e dytë, kjo bëhet për të justifikuar qëndrimin tim në paraburgosje. Lojë e njohur. Unë nuk i lëshoj "armët", përpara trimoshëve. Mora njoftim se Përparim Sanxhaku u kthye nga Spanja. Është e domosdoshme, vemendja, gjykimi i tij, por edhe fjala ime, të cilën e kam të qartë e të kuptimtë nga çdo pikëpamje. Qelia nr. 3. Burgu 313. Nuk e di se kur është ngritur kjo godinë e zymtë me myk. Ajo porta kryesore është një portë e fortifikuar në hyrje të burgut. Pothuajse, të gjitha burgjet kanë po këtë pamje: Një mur të madh nga jashtë (përmbi të ka tela me gjemba), një zgjua të tërë qelish. Brenda s'ka asgjë më të zymtë se këto qeli, ku merimanga dhe "drejtësia" endin cergën e tyre. Ora 5 e 45! U ngrita herët, në mos, ndryshe, nuk më ka zënë gjumi fare. Më dukej sikur po ndieja për të fundit herë gjithë po atë brengë që ndienin luftëtarët e lashtë përpara skëterrës së skllevërve. U lava, u pastrova, u rrova, u kreva, u vesha me kostum, me kollare. I kisha marrë masat për ditën e sotme. Në orën 9 ²º më morën policët tek të cilët shquhej një seriozitet fals dhe më çuan në gjykatë. Zura vendin e të pandehurit. Sa për hesapin tim, nuk isha unë i pandehuri, por ata. Papritur e ndieva veten të lirë, midis atyre njerëzve të lirë që kishin mbushur sallën për mua. I shikoja një nga një në fytyrë, në sy. Ishin të çelur. Një copë herë nuk i dalloja. Pastaj m'u mësuan sytë me dritën, me atë dritë e dashuri që lëshonin njerëzit e mi, miqtë e mi, ca të ulur, ca më këmbë. Asnjeri nuk luante vendit, por asnjeri nuk rrinte pa shkëmbyer lehtazi një fjalë: Liria, Ademi, Myrdari, Hasani, Lushja, Fatimja, Merjemja, Trendelina, Faslliu, Agroni, Iliri, Floresha, Iljazi, Mitati, Besniku, Novruzi, Aqifi, Asqeriu, Froku, Kalemi, Skënder Guri, Arshi Çela nga Gostencka, Ben Buxheli, Meleqi, Vjollca, Merjemja... Në orën 10 nisi gjyqi. Gjykatësi hapi senacën. Si zakonisht. Veçse unë, isha i çliruar krejtësisht nga emocionet. Fola aq sa kisha gjykuar, me fakte, me argumente, pa fyerje, i paturbulluar, me zë të mbushur. Pasi u ula, njerëzit e sallës lëviznin, bënin me isharet, vinin buzën në gaz. U pëlqye fjala ime. Anëtarët e gjykatës rrinin si të ngrirë. Më pas, mori fjalën avokati. Mbrojtja që më bëri ishte e menduar mirë, elegante. Se ç'thanë të tjerët, kjo pak rëndësi ka. Edhe tani më jehohjnë në veshë fjalët e fundit të gjykatëses: "- Nesër rihapet seanca në orën dhjetë!" Edhe sonte në qeli. Edhe sonte jam këtu: I shkarkuar nga gurët e dhimbjes dhe i liruar nga prangat.
Nesër... Tanimë lirimi im është thjesht një formalitet. Një vendim, një firmë. "Një ndjenjë njerëzore, ndershmëri, që përmban një skraparlli...'
13 qershor 1995, e enjte
Një gjumë copa-copa, një mëngjez i ngrohtë, i freskët. Qielli shpaloset i pastër, pa re. Tjetër gjë, kjo e sotmja. Tjetër gjë edhe me mendimet e mia... E pati të lehtë gojëligu Robert Papa të thoshte se Sulo Gradecin do ta lirojë nga burgu Sali Berisha, pasi i dorëzoi 200 kg dokumente…! Doemos, kjo i vinte përshtat shpifësit. S'ka asgjë të përbashkët e vërteta me këtë thashethem, me këtë sajim. E vërteta është një: Sulo Gradeci nuk e shiti faqen kurrë dhe qëndroi si burrat brenda dhe jashtë qelisë, përpara së vërtetës, përpara njerëzve që janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të fituar një karrige… Megjithatë Robert Papa s'fitoi asnjë këmbë karrigeje. Ai është i mpleksur me bëzhdilat që ia nxijnë faqen, ndërsa unë jetoj jetën time të mbushur me ndërshmëri. I të njëjtit karakter të dobët, e të njëjtës fytyrë të pafytyrë ishte dhe mbetet edhe Ilir Malindi në librin e tij "Kosova jonë". Më vjen keq që parathënien e ka shkruar Ismail Kadareja! Më duhej ta shkruaja këtë patjetër.
...Ashtu si dje, edhe sot u ngrita që herët dhe bëra ritualin e tualetit të zakonshëm. Nuk i kursej fjalët, nuk e kursej kënaqësinë me miqtë e qelisë. Edhe ata, po ashtu. Pres diçka të mirë, pres atë që kisha para korrikut të vitit 1992: Lirinë. Në orën dhjetë u ndodha në gjykatë. Po ai mjedis, po ata njerëz, në mos më shumë. Prokurori, gjykatësi, avokati- po ata. Gjykatësi, Ridvan Shkëmbi. Zëri i tij, më në fund, dominoi: "- Tërhiqemi për të marrë vendimin!" Edhe një nesër, e fundit, pa mëdyshje, nesër. Përsëri në qeli. Ajo që ndiej në këto momente është diçka e patreguar: Etja e jetës, tërë ajo ndjenjë njerëzore e ndershmërie që përmban në vetvete një skraparlli.
14 qershor 1995, e premte Në gjykatë. Ora 9 e 45! ...Tanimë nuk shihja asnjë nga ato hollësitë e pardjeshme, dhe të djeshme. Ora dhjetë. Ishte po ai gjykatës që drejtonte seancën. Ridvan Shkëmbi. Foli dhe tha: Atë fjalë që prisja me padurim. "- I pafajshëm!" Duartrokitje. Lotë gëzimi. Nuk arrija të shkëputesha dot nga shtërngimi i duarve, nga përqafimet. Një ceremoni e vërtetë festive. Por vetëm fizikisht. Se unë i ndieja afër, ishin aty, të gëzuar. Asnjë fytyrë gardiani. As fytyra e prokurorit. Ishin larguar menjëherë. Ndërsa Liria kishte fytyrën me të gëzuar.

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Facebook Myspace Yahoo Bookmarks myAOL MSN Live
 

Comments  

 
+3 #3 Berti 2013-04-25 18:17
Kjo eshte e verteteta shikojeni linkun .
http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Quote
 
 
+2 #2 mehmet sheu 2013-01-22 13:32
sa ke vrare ti mo sulo ti ishe pastrusi atyre qe sdonte enveri mehmetin vetem ti edi kushe vrau
Quote
 
 
+3 #1 ALBANI 2012-08-12 22:06
Ju lutem hapeni kete video shikoni te verteten e madhe dhe komentojeni.
http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Quote
 

Add comment

Zëri i Kosovës mban të drejtën e fshirjes të komenteve që mbajn fjali banale, fyrje të kota, akuza të pa vler. Komenti juaj do të publikohet pasi është lejuar nga Administratori apo Moderatori. Falemenderit për Inkuadrim!!


Security code
Refresh

Juve jeni duke shfletuar vebfaqen me Internet Explorer 6 (IE6).

Per te shikuar vebfaqen paster, shkarkoni ju lutemi verzionin e explorerit 7 ose Google Chrome ose Mozilla Firefox.

Perse eshte me mir te shkarkoni Internet Explorer 7? Microsoft ka perpunuar Internet Explorer nga fundamenti, e cila eshte me e sigurt, me kompatibel, dhe ka pamje me te bukur. Shume gjera kan ndryshe dhe me IE 7 keni mundsin te shikoni jo vetem vebfaqen ton me pamje te sigurt po edhe shum vebfaqe tjera.

Shkarko Internet Explorer 7, edhe te gjitha permbajtjet tjera. per te shkarkuar Internet Explorer 7 ne gjuhen tuaj, ju lutemi vizitoni kete faqe te Microsoftit Internet Explorer 7 vebfaqja oficiale.